Kuvend, “beteja” vazhdon…

10/02/2011 16:00

Përkundër apeleve ndërkombëtare për uljen e toneve dhe rikthimin e dialogut politik, Parlamenti u përfshi sot nga debate të ashpra. (UPDATE)

Seanca nisi me një minutë heshtje për viktimat e 21 janarit, por paqja u prish shumë shpejt.

Mungesa në sallë e kryeministrit Berisha dhe ministrit të Brendshëm, Basha, bëri që opozita të ngrejë tonet dhe më pas të pushtojë foltoren.

Ishte kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci që nisi akuzat ndaj kryeministrit Berisha, ndërkohë që pas tij erdhën replikat e kryetarit të grupit demokrat, Astrit Patozi.

Ruci: Është koha për t’u bërë më të fortë të gjithë bashkë dhe për t’i bërë ballë agresionit të pashembullt të kryeministrit. T’i, zoti Berisha, s’mund të jesh një burrë shteti, por një burrac, një ekzekutor i njerëzve të pafajshëm.

Patozi: Asnjë të mos mendojë se vdekja e katër personave do largojë vëmendjen nga organizatorët e dhunës së 21 janarit. Rama i ndolli vdekjet e tyre para, i dërgoi ata në një dhunë që e kishte organizuar vetë dhe tani po përpiqet të ushqehet me shpirtrat e tyre.

Ruci: Nuk ka pasur puc. Nuk ka bërë puc as presidenti, as SHISH e as prokurorja e përgjithshme. Sepse ti zoti Berisha nuk e meriton pucin. Për ty zoti Berisha ka vetëm revoltë qytetarësh.

Patozi: Zoti Ruci, ju bëtë thirrje për dhunë, por ata që e nxisin do të përballen me forcën e ligjit. Askush nuk do ta shantazhojë mazhorancën legjitime.

Ruci-Berishës: Të kam dëgjuar të kërcënosh Edi Ramën, por t’i s’po kërcënon vetëm atë, por një popull të tërë. Shko me këmbët e tua para drejtësisë, se kur të të cojnë të tjerët do të shkosh si një burrac bashkë me dikë tjetër. Koha jote, Berisha, ka mbaruar.

Patozi: Rama bëri më të keqen, por nëse mund të ketë vlerë një ngushëllim, përcaktimi i prerë është se nuk do ta bëjë më, pasi përgjigjia e institucioneve do të jetë fatale. Ju ftoj të zbrazni xhepat nga gurat dhe bombat molotov dhe të vini tamam në Parlament.

Tensionet shkuan deri në konfrontime fizike mes deputetëve dhe që përfunduan me largimin e socialistëve nga salla.

Kjo, pasi deputeti Edi Paloka, me një mikrofon në dorë akuzoi për organizim puci më 21 janar Edi Ramën. Ai u konftontua me deputetin Paulin Stërkajn, përplasje që solli më pas një përleshje mes deputetëve.

Pas miratimit të ligjeve, demokratët kanë thirrur byronë parlamentare, e cila ka vendosur përjashtimin për dy javë nga seancat deputetët socialistë Saimir Tahiri, Paulin Stërkaj dhe Armando Prenga.

Për këtë të fundit, grupi parlamentar i PD ngriti padi në prokurori, me akuzën e goditjes së deputetit Edi Paloka për shkak te detyres.

Top Channel