Kriza, BE mund të marrë masa

10/02/2011 20:00

I dërguari i posacëm i BE, Miroslav Lajcak ka raportuar pranë komitetit për Ballkanin në Parlamentin Europian lidhur me krizën shqiptare.

Eduard Kukan dhe Hannes Swoboda deklaruan pas takimit mbështetje të plotë për punen e Lajcak dhe kërkuan nga politika të ulë tonët e të respektojë prokurorinë për hetimin e 21 janarit.

Eurodeputetët paralajmëruan gjithashtu se Bashkimi Europian mund të marrë masa nëse kriza vazhdon, duke nënvizuar rëndësinë e madhe që marrin zgjedhjet lokale të 8 majit për procesin integrues të Shqipërisë. Me zotërinjtë Kukan dhe Swoboda bisedoi gazetarja jonë Arta Tozaj.

TCH: Ju dëgjuat zotin Lajcak, kush ishte rezultati i vizitës së tij të dytë në Shqipëri?

Hannes Swoboda, nënkryetar i S&D në PE: Në parim ne mbështesim punën e zotit Lajcak. U kërkojmë kolegëve tanë në Shqipëri që ta mbështesin plotësisht aktivitetin e tij, të frenojnë sulmet ndaj njëri-tjetrit dhe të ulen në një tryezë për të negociuar. Vetëm duke biseduar mbi ato cështje mund të gjendet një zgjidhje. Zoti Lajcak po ndihmon për këtë. Ai nuk ndërmjetëson palet, por ndihmon për këtë bisedim dhe ne e mbështesim plotësisht atë.

Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit për Ballkanin, PPE: Rezultati është mirë që zoti Lajcak nisi aktivitetin e tij. Në këtë vizitë të dytë në Shqipëri ai tregoi se po merret sic duhet me këtë situatë të vështirë. Ka mbështetje të plotë të komisionerit e shefes së tij, baroneshës Ashton, por dhe të eurodeputetëve. Të paktën, të gjithë ne që morëm pjesë në këtë takim të grupit të punës për Ballkanin, e inkurajuam atë që të vazhdojë këtë punë, derisa të gjendet një zgjidhje për të dalë nga ky ngërc që vijon prej një kohe të gjatë.

TCH: A është ky një ngërc? Ende bëhet fjalë për një ngërc politik në vend ?

Kukan: Unë nuk do të pëlqeja që të shihja situatë më të keqe, që të përkeqësohej atje dhe ky është roli i zotit Lajcak që t’i bindë të dy lojtarët kryesorë, se e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo situatë është përmes gjetjes së një kompromisi politik.

TCH: Ju po e kërkoni këtë të paktën prej 15 muajsh nga klasa politike shqiptare. Pse mendoni se këtë radhë është casti i  duhur e do t’ju dëgjojnë për gjetjen e kopromisit dhe zgjidhjes në paqë të ngërcit?

Swoboda: Mendoj se është absolutisht e rëndësishme që vendi të bëjë një hap përpara. Ky hap përpara duhet të jetë i drejtë, transparent, i hapur dhe fiks në zgjedhjet lokale. Nëse do të ishte e mundur që të gjenim një zgjedhje e të shtynim për disa javë këto zgjedhje, jam dakort, por zgjedhjet duhet të bëhen. Së dyti, nëse Shqipëria dhe sistemi politik shqiptar nuk do ta zgjidhë këtë cështje, ne duhet të mendojmë se cfarë duhet të bëjmë ne më pas me Shqipërinë? Ne nuk mundet vetëm që të shikojmë e vijojmë me negociata cfarëdo. Në Shqipëri, politikanet shqiptarë duhet ta dinë se Bashkimi Europian është gati për të vepruar, për të vepruar në mënyrë të tillë që nuk do të jetë e mirë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Kjo është përgjegjësia e politikanëve shqiptarë që ata të bëjnë më në fund një aksion pozitiv, të bëjnë ndonjë hap përpara, të flasin me njëri-tjetrin e të gjejnë një zgjidhje. Hapi i parë i madh do të ishte që të bëheshin zgjedhje lokale të pastra, të ndershme e transparente.

Kukan: Për t’u kthyer në pyetjen tënde për dëgjimin ndaj ngërcit politik. Sepse zhvillimet po ecin disi në një mënyrë dramatike, pati të vrarë në demonstrata, ndaj është e pamundur të vazhdohet kështu. Ne jemi të lumtur që shohim se nuk ka përshkallëzim tensionesh, emigrim jashtë, por kjo nuk është e mjaftueshme. Tani është e rëndësishme që të ecet përpara me gjetjen e një zgjidhjeje. Dhe, të gjithë ne, presim si kriterin më të mirë, sesi zgjedhjet lokale do të organizohen. E kjo duhet të përbëjë tekstin e detyrave të shtëpisë për udhëheqësit politikë shqiptarë, që t’i organizojnë zgjedhjet, ose të bisedojnë në mënyrë të tillë që ato të jenë të besueshme. Në të kundërt, do të jetë shumë, shumë keq për vendin.

TCH: Për ta përmbledhur, ju i kërkoni opozitës së drejtuar nga zoti Rama që të marrë pjesë në zgjedhje dhe qeverisë së drejtuar nga zoti Berisha që të përgatisë zgjedhjet lokale? A ishte ky misioni i vetëm që i kërkuat zotit Lajcak?

Swoboda: Epo, sic është situata tani atje, ky do të ishte një hap i madh përpara, nëse të dy palët do të binin dakort mbi këtë gjë. Kjo nuk ishte e vetmja cështje, folëm në mënyrë të lirshme për hapat e tjerë të radhës. Gjithcka mbetet për t’u bërë. Hetimi duhet të bëhet për atë cfarë ndodhi në të vërtetë. Duhet arritur një proces normal parlamentar. Duhet reformuar tërësisht puna parlamentare gjithashtu. Ka shumë cështje, por së paku, tani mbani zgjedhje lokale të ndershme e transparente.  

Kukan: Do të ishte një hap i mirë për të kapërcyer gjithë këtë situatë.

TCH: Mendimi juaj për komisionin hetimor njëngjyrësh parlamentar që po investigon mbi implikimin e presidentit të Republikës, prokuroren e përgjithshme, shefin e SHISH, liderin e opozitës dhe gjithashtu disa zyrtarë të tjerë. Një opinion të shkurtër mbi këtë cështje si dhe mbi video-skandalin për aferat korruptive mes ish-zv.kryeministrit Meta e ish-ministrit të Energjisë Prifti.

Kukan: Për mua, të gjitha këto cështje duhet të hetohen nga institucionet e duhura, institucionet e pavarura që janë aty enkas për këtë qëllim. Kjo mendoj është e rëndësishme që të realizohet tani. Një gjë e tillë do të jetë shumë e rëndësishme edhe për vlerësimin nëse situata po përmirësohet.

Swoboda: Ish zv/kryeministri Ilir Meta dha dorëheqjen nga detyra, dha mendimin për të hequr dorë nga imuniteti i tij e se ai ishte i gatshëm për këtë. Tani le të kemi një hetim të pavarur në veprim. Për ceshtjen tjetër, përpiquni që të fusni në të gjithë këtë proces njerëz të pavarur të cilët mund të japin tablo e analiza objektive mbi atë cfarë ka ndodhur në javët e shkuara.

TCH: Integrimi europian i Shqipërisë, cfarë mendoni për këtë?

Kukan: Dicka e lënë mënjanë për momentin. Për fat të keq. Ne do të donim të shihnim progres, por pa një zgjidhje të situatës tani do të ishte e vështirë të mendohej se kjo gjë mund të ecte përpara.

Swoboda: Për momentin ne të dy jemi më shumë për integrimin europian të Shqipërisë sesa disa prej liderëve politikë në Shqipëri. E kjo është rruga e gabuar, ndaj të lutem, pyeti liderët shqiptarë se c’mendojnë ata për këtë cështje e nëse ata janë gati për të bërë dicka më shumë se c’mund të bëjmë ne.

Kukan: Mesazh i shkëlqyer.

TCH: A është e vërtetë se ne rrezikojmë të humbasim liberalizimin e vizave, që hyri në fuqi më 15 dhjetor?

Kukan: Mund të spekollohej me të. Ju e dini që është krijuar një strukturë monitoruese për secilin vend të rajonit dhe ky mekanizëm objektiv do të përdorej nga Bashkimi Europian në këtë aspekt.

Swoboda: Por gjithësesi, ne nuk duam të ndëshkojmë popullin, ne duam t’iu japim një mesazh politikanëve, qe ata të bëjnë mirë punën e tyre. Por, nuk duam të sanksionojmë njerëzit. Por, le të shohim c’ndodh në të ardhmen.

TCH: Kjo do të thotë se mekanizmi do përdoret?

Swoboda: Kurdo që të jetë e mundur për ne që ta shmangim përdorimin e këtij instrumenti, ne do ta shmangim atë dhe do të luftojmë që të shmanget.

Kukan: Ne shpresojmë se nuk do ta përdorim atë, por gjithcka varet vërtet nga cfarë do të ndodhë në Shqipëri.

Në fund, duke qeshur, Kukan dhe Swoboda dhanë këtë mesazh: Bëji bashkë zotin Berisha e zotin Rama si ne, se atëhere zgjidhet gjithcka.

 

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel