Topi: Tani të flasë drejtësia

09/02/2011 13:45

Dy javë e gjysmë pas 21 janarit, në një konferencë shtypi, të parën pas kësaj ngjarjeje, presidenti i Republikës Bamir Topi deklaroi se politika po pengon hetimin nga prokuroria.

Zoti Topi e konsideroi këtë hetim si sprovë historike të organit të akuzës dhe e inkurajoi atë për një hetim profesional, të pavarur nga presioni politik.

“Por, fatkeqësisht, kur duhet të flasë vetëm drejtësia dhe të gjithë të heshtin, beteja e gjatë politike, e cila në fakt shkaktoi 21 janarin, vazhdon të prodhojë fajtorë dhe të fajësuar, duke anashkaluar thelbin dhe përgjegjësinë politike dhe duke penguar drejtësinë në të gjitha hallkat e saj që të ndajë të vërtetën nga e pavërteta. Nënshtrimi dhe frikësimi ndaj pushteteve të politikës do të ishte fatale për shtetin e së drejtës dhe demokracinë në Shqipëri”, deklaroi Topi.

Presidenti Topi, i akuzuar nga mazhoranca si aktor në pucin e shtetit, nga i cili do të përfitonte rizgjedhjen në postin e presidentit, deklaroi se në cdo moment ka respektuar detyrimet e tij kushtetuese.

Presidenti Topi la të kuptohej se janë kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ata që po pengojnë hetimet, duke i identifikuar ata me personat që po “njollosin insitucionet e pavarura”.

“Unë mbetem zëdhënësi edhe i atyre që nuk ndihen të përfaqësuar politikisht, por edhe i atyre të cilët sot janë të përhumbur në mjegullnajën politike të pas 21 janarit. Dhe këta natyrisht që janë shumë! Shumë më tepër se ata që frikësohen nga e vërteta e 21 janarit, shumë më tepër se ata që përpiqen të shpërndajnë përgjegjësinë duke njollosur institucionet”, theksoi Topi.

Konferenca e shtypit e presidentit u zhvillua një ditë pasi kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli deklaroi para komisionit hetimor parlamentar se më 23 janar, pas një korrespondence konfirdenciale, presidenti Topi nuk kishte ushtruar kompetencat e tij kushtetuese, kur kryetarja e Kuvendit i kishte kërkuar të merrte informacion nga prokurorja e përgjithshme për sqarimin e rrethanave të lëshimit të 6 urdhërndalimeve për drejtuesit më të lartë të Gardës së Republikës. Por presidenti i Republikes i dha një shpejgim tjetër kësaj kërkese të kryetares së Kuvendit.

“Një kërkesë, që i është bërë presidentit të Republikës për të ndërhyrë në një institucion tjetër të pavarur. Kam kthyer një përgjigje, që presidenti do të akuzohej nëse do të ndërhynte. Presidentit nuk i lejohet të ndërhyjë në asnjë lloj institucioni për cështje konkrete”, nënvizoi Topi.

I pyetur rreth akuzave të kryeministrit dhe kryetares se Kuvendit si aktor në puc dhe mundësisë së përfshirjes së presidentit në hetimin e komisionit parlamentar, presidenti Topi dha këtë përgjigje:

“Unë uroj që cdo institucion, qoftë edhe ata, të cilëve ju u referoheni, të rifitojnë, sepse e kanë mundësinë, hapësirën e funksionimit demokratik! Cdo institucion, në radhë të parë Parlamenti shqiptar! Duke filluar me frymën e funksionimit, me procedurën dhe me produktin. Dhe kjo nuk duhet të jetë në funksion të karrikeve të pushtetarëve, cilido qoftë ai, por në funksion të qytetarëve”, u shpreh Topi.

Duke kërkuar disa herë respektimin e institucioneve të pavarura, vecanërisht prokurorisë, kreu i shtetit kishte edhe një apel konkret për hetimin e 21 janarit.

“Drejtësia, sikurse ju po e shikoni, po punon. Minimumi që duhet të bëjmë të gjithë duhet që të mos ta intimidojmë. Ta lejojmë që të punojë, të nxjerrë produktin e vet. Urojmë që drejtësia të japë drejtësi”, shtoi Topi.

Top Channel