21 janari, ndalohet gardisti i dytë

09/02/2011 12:35

Pas ekspertizës që iu bë plumbit me të cilin u vra njeri nga viktimat e demonstratës së 21 janarit, rezultoi se ai doli nga një armë e cila ishte regjistruar në emër të shefit të Shtabit të forcave speciale të Gardës së Republikës, Agim Llupo. (UPDATE)

Pas këtij konfirmimi, policia zbatoi urdhër-arrestin e Prokurorisë për llogari të hetimeve të ngjarjes së 21 janarit.

Llupi u arrestua nën akuzën e vrasjes se Ziver Veizit, i cili ishte pikërisht personi që është vrarë fare pranë derës së selisë së Kryeministrisë.

Pas ekspertizës së laboratorit shkencor nën asistencën edhe të tre ekspertëve amerikanë u konfirmua se Veizi ishte vrarë nga një armë tip “MP5” e cila përdor plumba të kalibrit 9 mm.

Vetëm pak sekonda pas vrasjes së tij, pak metra më tutje një tjetër person, Hekueran Deda u vra me një plumb në kokë, ndërsa kishte hipur së bashku me një grup personash mbi një skelë që përdorej nga kamerat e televizioneve pranë trotuarit disa metra larg Kryeministrisë.

Pas një debati gati tre javorë mbi moszbatimin e urdhër-arresteve të Prokurorisë për ndalimin e 6 zyrtarëve të Gardës së Republikës, mes të cilëve edhe komandantit të saj, ky është i pari i arrestuar ndër gardistët.

Një ditë më parë kryeministri Berisha tha se ne jemi duke bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojmë me Prokurorinë, tashmë që hetimet po mbikëqyren edhe nga një prokuror amerikan.

Top Channel