Topalli dëshmon në komisionin hetimor

08/02/2011 19:15

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e ka cilësuar si një sulm ndaj rendit kushtetues demonstratën e 21 janarit, gjatë fjalës së saj përpara komisionit hetimor parlamentar që po heton këtë ngjarje.

“U sulmua rendi kushtetues i këtij vendi. U sulmuan themelet e këtij shteti. Pavarësia e shtetit, dinjiteti i njeriut, drejtësia shoqërore, rendi kushtetues… janë baza e këtij shteti i cili duhet t’i mbrojë”, është shprehur Topalli.

“Qendresa e gardistëve tregoi se në këtë vend ka shtet dhe institucionet, se në këtë vend ka vetëm një rrugë për të ndërruar pushtetin dhe ajo është vota”, theksoi Topalli.

Ajo ka deklaruar se për vrasjen e katër qytetarëve do të ketë një hetim të plotë.

“Do u siguroj familjeve të viktimave se do të ketë një hetim të plotë të ngjarjes”, tha Topalli.

Kryetarja ka akuzuar më pas për bashkëpunim kryetarin e opozitës Edi Rama, presidentin e Republikës Bamir Topi dhe prokuroren e përgjithshme Ina Rama. Duke iu referuar presidentit të Republikës, Topalli ka deklaruar se ai
ka patur si qëllim përfitimin e një mandati të dytë gjatë bashkëpunimit
në “puç”.

“21 janari ishte një ditë e keqe, e tmerrshme, turpi, dhune e planifikuar, e komanduar, e financuar. Në 21 janar ndodhi ajo që ishte thënë në intervista televizive nga Rama dhe Ruçi”, tha Topalli.

“Në reagimin e parë ishin shkruar vetëm 15 rreshta dhe në asnjë prej tyre nuk gjendet fjala dhunë, por flitet për ngjarje në Bulevard”, tha Topalli.

“Kush ja kishte mbyllur gojën kryetarit të shtetit? Cilat janë arsyet dhe shkaqet që kreu i shtetit harroi të përdorte fjalën dhunë? Çfarë fshihet mbrapa kësaj harrese të kreut të shtetuit. Kush ja lidhi gjuhën? Po sytë? Duket qartë një marrëveshje me zotin Rama, ku presidenti do të përfitonte një mandat të dytë”, theksoi Topalli.

“Ina Rama tamam si presidenti e konsideroi ngjarje në bulevard. Për herë të parë në historinë e akuzës është përjashtuar policia kriminale nga hetimi. Përse përqëndrohet hetimi vetëm në disa duar?”, tha Topalli.

Top Channel