PS: Meta vijon premtimet me bllokun e tij

08/02/2011 14:10

PS ka akuzuar sot kryetarin e LSI, Ilir Meta se edhe pas videos-skandal, vazhdon të bëjë fushatë me bllokun e tij të korrupsionit në dorë.

Sipas deputetes Olta Xhacka, dorëheqja e Metës është vetëm një farsë, përsa kohë ai sipas saj vazhdon të drejtojë METE.

“Meta qarkullon nëpër Shqipëri dhe përpiqet të shesë favore përmes bllokut të tij. Meta u tregoi shqiptarëve se si mund të fitohen në 5 minuta 700 mijë euro nëse bashkëpunon në vjedhje me Berishën. Kjo nuk mund të mbyllet me një dorëheqje, për sa kohë Meta vazhdon të drejtojë Ministrinë e Ekonomisë”, ka deklaruar Xhacka.

Xhacka është shprehur se në mënyrë të turpshme Meta po bën fushatë për zgjedhjet lokale dhe ka shtuar se korrupsioni i tij dhe kryeministrit Berisha mban në këmbë qeverinë.

“Vetë Meta vazhdon të shëtisë nëpër Shqipëri duke vazhduar të premtojë dhe duke vazhduar të mbushë faqet e bllokut të tij të vjetër. METE mbetet prona e tij private. Morali i tij dhe ai i Berishës mbajnë në këmbë këtë qeveri të korruptuar deri në palcë”, ka shtuar Xhacka.

Top Channel