Provokimet e konsullit grek

08/02/2011 13:35

Deklarimet e konsullit grek të Korçës gjatë ceremonisë së pervjetorit të Omonias, ishin në qendër të takimit të zhvilluar në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë. (UPDATE)

Ministri Haxhinasto thirri ambasadorin grek në Tiranë, Nikolas Pazios për t’i kërkuar sqarime lidhur me deklaratat e konsullit grek Theodhoros Ikonomus.

Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme bëhet e ditur se ministri i Jashtëm i bëri të qartë qëndrimin mbi këto deklarime, duke i quajtur ato “të papranueshme”.

“Deklarata të tilla nuk pasqyrojnë përmbajtjen e marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe cënojnë frymën e miqësisë mes dy vendeve”, përfundon deklarata.

Po cili ishte deklarimi konsullit grek:

“Përshëndes grekët e Korçës sepse kjo që ndodh sot ju përket atyre. Do të jap edhe njëherë të njëjtin mesazh: Po, ekzistojnë grekë në Korçë. Po, vllenjtë janë grekë. Grekë, mos u trembni nga regjistrimi i popullsisë, të shpallni origjinën reale dhe të gjithë atyre që janë në dyshim dhe me frikë dhe pyesin veten jam me siguri grek, ju them një gjë, shkoni në varreza dhe shikoni varrezat e etërve dhe gjyshërve tuaj dhe gjuhën në të cilën janë të shkruar dhe merrni vendimin tuaj. Janë në gjuhën greke. Kjo betejë nuk mbaron me regjistrimin e popullatës, por nis me regjistrimin e popullatës greke. Eksistojnë të drejta të minoriteteve. Por këto të drejta duhet të vihen në funksion në të gjitha zonat e Shqipërisë të cilat përfaqësojnë emrin Voriepir. Ky është Vorioepiri. Në Vorioepir eksiztojnë grekë, kjo vërtetohet dhe do vërtetohet më tepër kur të regjistrohet popullata dhe këtu duhet të funksionojnë të drejtat e minoritetit. Kurajo, shpresë dhe betejë”, ishte shprehur ai.

Këto deklarime sollën edhe reagimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë i cili deklaroi se kombësia nuk është pjesë e pazareve politike, as e interesave të ngushta personale dhe se mund të ndryshohet vetëm nga gjykata në bazë të fakteve.

Lëvizja “Mjaft”, ndërkohë protestoi para konsullatës greke.

Një reagim erdhi edhe nga partitë e komunitetit çam dhe së fundmi edhe nga Partia e Ballit Kombëtar Demokrat, i cili i konsideron deklarimet e konsullit si “provokim”.

Top Channel