Gjirokastër, kapet një ton hashash

08/02/2011 12:15

Plot një ton hashash është kapur nga policia e Gjirokastrës. Sasia e ndarë në dy ngarkesa ka rënë në duart e policisë pas informacioneve se një sasi e madhe droge ishte grumbulluar në Lazarat dhe do të transportohej në drejtim të Sarandës për të kaluar më pas në Greqi. (UPDATE)

Në datën 6 shkurt policia e Gjirokastrës ndaloi një mjet tip “Volkswagen Tuareg”, në të cilin u kapën 180 kilogramë hashash.

Transportuesi braktisi mjetin, por u identifikua lehtësisht për shkak të dokumentave dhe kartës së identitetit që la në makinë.

Një ditë më pas një i afërm i personit të shpallur në kërkim u kap në segmentin Gjirokastër-Jorgucat, duke drejtuar një automjet për transport mallrash me rreth 820 kilogramë hashash. Policia ndaloi drejtuesin e mjetit.

“Droga e sekuestruar gjatë dy fazave të operacionit është rreth një ton. Është bërë e mundur dokumentimi i veprimtarisë kriminale të këtij grupi. Tre persona janë shpallur në kërkim, ndërsa një është arrestuar. Nga sektori i anti-drogës po punohet për kapjen e këtyre tre personave, gjeneralitetet e të cilëve nuk bëhen të ditur për arsye hetimore”, ka deklaruar Emri Vata, drejtor i policisë së qarkut Gjirokaster.

Policia dyshon se rrjeti është shtrirë në disa rrethe dhe ka patur synim kalimin nga Saranda me mjete lundruese për në Greqi të drogës së prodhuar apo grumbulluar në fshatin Lazarat.

Top Channel