Countryman: Nuk duhet të kishte viktima

08/02/2011 15:30

“21 janari, tragjedi, nuk duhet të kishte ndodhur”. Kështu përshkruan Thomas Countryman, zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit kur u pyet në Bruksel mbi protestat e opozitës. Të premtet që pasuan atë të 21 janarit kanë ndikuar qendrimin zyrtar të Shteteve të Bashkuara.

“Në 21 janar, pati  tragjedi dhe humbje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk kishte arsye që njerëzit të vriteshin. Nuk ka arsye sot që të turpërohen ata 4 individë me kryeartikuj shtypi mbi atë sesi ata vdiqën. Kjo na turpëron neve që liderët e partive thone ‘e di sesi ka ndodhur dhe e di se kush e ka fajin’. Shqipëria nuk ka nevojë për këtë teatër politik. Ajo çfarë ndodhi me dy të premtet që pasuan, tregoi se ajo çfarë ndodhi në 21 janar nuk duhet të kishte ndodhur. Retorikat krahasuese të Shqipërisë, vend anëtar i NATO-s dhe aspiruese për në BE, me Egjiptin e Tunizinë, ishte jo vetëm e panevojshme, por u duk sikur ishte e qëllimshme për të shkaktuar dhunë, për të shkaktuar të vrarë. Kjo ishte e panevojshme dhe jo demokratike. Protestat paqësore nuk mund të shtypen me mjete antidemokratike. Demonstratat, veçanërisht ato të dhunshmet, nuk duhet t’i shërbejnë qëllimeve jodemokratike. Opozita ka disa objektiva që mund t’i ndjekë sipas mënyrës demokratike kushtetuese. E kjo mënyrë duhet të ndiqet. Nëse protestat paqësore janë pjesë e kësaj mënyre, është e pranueshme, por nuk duhet që ato të shtypen me mjete jodemokratike”, është shprehur Countryman.

I pyetur mbi punën e Prokurorisë, Countryman tha se institucionet e pavarura nuk duhet të kontrollohen nga asnjëra palë dhe askush nuk duhet të paragjykojë rezultatin final të hetimit të Prokurorisë.

“Ata 6 persona duhet të merren në pyetje. Si prokurorja e përgjithshme, shefi i sherbimit sekret apo Presidenti i Republikës, ata kanë një punë të pavarur, jo politike, për të bërë, e ata duhen lejuar që ta bëjnë atë”, tha Countryman.

Një tjetër çështje shqetësuese, sipas përfaqësuesit të SHBA-ve, ishte korrupsioni në Shqipëri.

“Ne duhet të tregohemi të qartë. Korrupsioni ekziston në nivelin e qeverisjes kombëtare, ekziston në qeverisjen lokale, ekziston në partitë politike dhe ekziston në biznese. Në çdo rast është paralizues, merr paratë e shqiptarëve dhe pengon Shqipërinë të arrijë potencialin e saj ekonomik dhe potencialin e saj europian. Ka përhapje e gjerë dhe askush nuk ka monopol të korrupsionit”, deklaroi ai.

Thomas Countryman bëri thirrje që zgjedhjet e ardhshme të jenë “të pastra e të suksesshme”, siç u shpreh ai.

Përsa i takon atyre të së kaluarës, përfshirë këtu dhe zgjedhjet parlamentare 2009 që përmbushën shumicën e standardeve ndërkombëtare, sipas OSBE-s, Countryman tha:

“Në asnjëherë nuk kemi pasur zgjedhje të përkryera në Ballkan, kemi patur një organizim madhështor të OSBE/ODIHR. Ata bënë një raport ku detajuan gjithë problemet zgjedhore dhe është ekstremisht zhgënjyese që në Shqipëri, të dyja palët janë ankuar për zgjedhjet, e pasi përqafojnë rezultatin, asnjëra palë nuk ka bërë asgjë, për të lëvizur para me miratimin e kushteve të ODIHR”.

Përpara vizitës së tij në Prishtinë, Shkup e Tiranë, zëvendës-ndihmës sekretari i Shtetit dha këto qendrime gjatë takimit me një grup të vogël  gazetarësh të përzgjedhur nga Ballkani.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel