Contryman: A ishte puç? Jo!

08/02/2011 19:55

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Thomas Countryman gjatë një interviste për Top Channel deklaron se administrata amerikane nuk beson në deklaratat e kryeministrit Berisha se 21 janari ishte një puç për të rrëzuar qeverinë.

Zoti Countryman deklaroi mbështetje për Prokurorinë në hetimet për këtë
ngjarje, duke u shprehur se është i vetmi organ kushtetues për të
nxjerrë përgjegjësit përpara ligjit.

I pyetur për zgjedhjet e parakohshme, këtë radhë përgjigjja e zotit
Countryman ishte se këtë e vendosin partitë dhe populli shqiptar,
bazuar në rrugët kushtetuese.

Më poshtë vijon intervista e dhënë nga zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Thomas Countryman për Top Channel.

TCH: Kryeministri i vendit nuk njeh institucionet e tjera, duke akuzuar Presidentin e Republikës, prokuroren e përgjithshme, shefin e shërbimit sekret dhe liderin e opozitës se organizuan puç ndaj shtetit. A besoni ju në këto akuza?

Thomas Countryman: JO

TCH: Për të qenë më të qartë, ju besoni në pretendimet e kryeministrit, apo mbështesni Prokurorinë dhe institucionet e tjera të pavarura?

Countryman: “Nuk është e pavend që parlamenti të ngrejë një komision hetimor. Kjo është normale në shumë demokraci. Por, vetëm prokurori i përgjithshëm është ai që përcakton ligjërisht nëse ka apo jo persona përgjegjës për dhunën e 21 janarit. Dhe, kjo punë duhet bërë pa ndërhyje politike ndaj Prokurorisë së Përgjithshme. Ne mbështesim institucionet e pavarura. Ne i mbështesim ato dhe me ndihmë të drejtpërdrejtë teknike. Kjo çështje nuk duhet politizuar nga askush. Siç jam shprehur, të dy palët duhet të evitojnë paragjykimin e rezultatit të hetimit të Prokurorisë së Përgjithshme”.

TCH: Thirrjet tuaja për zgjidhjen e situatës, përmes një dialogu konstruktiv, nuk janë dëgjuar deri tani nga palët. Akuzat dhe ofendimet po thellojnë urrejtjen mes dy kampeve. Nëse situata vijon kështu, ju do vazhdonit t’i thonit “JO” mundësisë së zgjedhjeve të parakohshme për kapërcimin e situatës?

Countryman: “Zgjedhjet e parakohshme përbëjnë një vendim të popullit dhe partive shqiptare, sipas përcaktimit kushtetues. Kjo mënyrë kushtetuese për të kërkuar zgjedhje të parakohshme, mesa di unë, ende nuk është tentuar”.

TCH: Ambasadori juaj në Tirane ka deklaruar se në Shqipëri ka demokraci funksionale, meqënëse dhe Top Channel, një nga televizionet më të shikuara, mbështet opozitën. A është ky një kriter zyrtar sesi ju masni demokracinë e një vendi? Është qendrim zyrtar i Departamentit të Shtetit apo personal i ambasadorit tuaj në Tiranë?

Countryman: “Shqipëria është një demokraci funksionale. Ambasadori ka dhënë një shembull, por nuk është kriteri i vetëm përcaktues për demokracinë funksionuese. Shqipëria është vend demokratik. Ajo nuk do të ishte në NATO, në të kundërt. Krahasimi i Shqipërisë me Egjiptin e Tunizinë është një fyerje për popullin shqiptar dhe progresin e bërë prej tyre në 20 vitet e fundit. Nuk është një vend i përkryer, por, është demokraci”.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel