Rriten cmimet e ushqimeve

07/02/2011 16:35

Produktet ushqimore bazë kanë pësuar rritje të paregjistruar ndonjëherë më parë. 1 kg sheqer kap vlerën 140 lekë, ndërkohë që një kg miell blihet me 90 lekë.

Me 90 lekë blihej sot një pako makarona, ndërkohë që një kg oriz kushton 160 lekë dhe një liter vaj 240 lekë.

Këto janë produkte të cilat i përkasin konsumit të përditshëm dhe blihen në treg nga masa. Pas rritjes që pësuan në fundviti, cmimet kanë marrë një tjetër kolpo gjatë muajit janar.

Tregtarët paralajmërojnë një tjetër rritje të cmimit të miellit dhe për pasojë edhe nënprodukteve të tij. Ndërkohë që është paralajmëruar rritje e cmimit të bukës në 100 apo 120 lekë.

Madje, në disa dyqane të vegjël mësuam se disa varietete të vajrave ushqimore nuk janë hedhur në treg, pasi paralajmërojnë një rritje tjetër të cmimit.

“Cmimet janë rritur sa s’kanë qenë më parë kaq. Një kg sheqer 1400 lekë dhe miell e vaj me nga 2700 lekë, jo për pensionistin por edhe për këdo tjetër është e tepërt. Cuditem kur thonë për rritje pensioni, kur është rritur korenti, uji e buka. Kështu, kjo rritje është jashtë cdo llogarie”, deklaron një pensionist.

“Nga viti i ri janë rritur. Nga 600 makaronat janë bërë 900 lekë. I marrim gjysma-gjysma. Po bëhet edhe më keq. Më duhet mjalti pa tjetër sepse kam cunin me azmë”, thotë një nënë e re në moshë.

Rritje të cmimeve kanë pësuar edhe perimet. Një kg qepë blihej me 80 lekë, ndërkohë që një kg patate kushton 90 lekë, një kg presh 60 lekë dhe një kg lakër 60 lekë.

E ndërsa cmimet rriten, konsumatori duket se ka fituar imunitet ndaj këtij fenomeni, duke bërë nikoqirin me pahir, të paktën në dukje, se në të vërtetë redukton produktet që konsumon.

Tregtarët shprehen se i kanë rritur cmimet tregtarët e shumicës, ndonëse ankohen se u ka rënë fitimi. Këta të fundit thonë se cmimet janë rritur nga kompanitë që i prodhojnë, apo shoqëritë që i importojnë.

Mekanizmi i tregut të lirë ka bërë që qeveria të mos ketë akses të ndikojë në nivelin e cmimeve, ndërkohë që pjesa më e madhe e popullsisë duhet të shtrëngohet të reduktojë konsumin.

U interesuam në Ministrinë e Punës dhe na thanë se personave që gëzojnë statusin e aftësisë së kufizuar u bëhet rritja e pagesës në bazë të indeksimit të cmimeve që përllogaritet nga Instat, apo Banka e Shqipërisë.

Ndërkohë që për ato familje që jetojnë me asistencë sociale, me një pagesë prej 7.500 lekë në muaj, është propozuar ndryshim në ligj që përvec pagesës kesh të ketë dhe një paketë ushqimore. Por ky propozim është miratuar në Këshillin e Ministrave dhe pritet të kalojë në Parlament.

Top Channel