Rama: Berisha, presion opozitës e shtypit

07/02/2011 17:00

Kryetari i PS, Edi Rama ka akuzuar sërish sot qeverinë dhe kryeministrin Berisha, se po rrisin presionin ndaj opozitës dhe institucioneve të pavarura.

Në një deklaratë për shtyp, Rama u është kundërpërgjigjur edhe akuzave të kryeministrit ndaj opozitës për viktimat e protestës së 21 janarit.

“Edhe sot, në ditëvarrimin e viktimës së katërt të dorës së shtetit, Saliu, i pari i koalicionit të turpit, shfryu baltë e vrerë mbi opozitën, prokurorinë dhe shtypin. Ai iu rikthye deklaratave se vrasjet e 21 janarit i bëri opozita, por tha edhe se 26 vrasjet e Gërdecit i bëri opozita”, ka deklaruar Rama.

Lideri i opozitës ka ritheksuar se në këtë situatë, vazhdimi i betejës së këtij fraksioni është më se i domosdoshëm.

“Kjo tregon se sa e rëndësishme është beteja jonë kundër kësaj qeverie që qeveris me vota të vjedhura. Ne nuk do të ndalemi në kërkesën tonë për largimin e koalicionit të turpit, në përpjekjen tonë për drejtësi dhe për një zgjidhje të re për Shqipërinë”, ka shtuar Rama.

Top Channel