Qosja paralelizon Shqipërinë me Tunizinë

07/02/2011 23:15

Në një intervistë ekskluzive për Shqip në Top Channel, akademiku Rexhep Qosja foli për situatën politiko-ekonomike në Shqipëri. Zoti Qosja bëri një paralelizim të demonstratës së opozitës në Shqipëri me ato të ndërmarra nga populli në Egjipt e Tunizi.

Madje, akademiku i njohur kosovar u shpreh se kryeministri shqiptar, Sali Berisha nuk është më shumë demokratik se ish-presidenti tunizian, i larguar pas protestave të dhunshme në vendin afrikan, Ben Ali. Qosja vlerësoi se edhe qendrimi i faktorit ndërkombëtar në këtë rast është me dy standarte.

“Tjetër qendrim për Tunizinë e Egjiptin e tjetër qendrim për Shqipërinë. Nuk është Sali Berisha më shumë demokratik se Ben Ali. Ndërkombëtarët nuk duan të pranojnë rinumërimin e votave, por në Kosovë e mbështetën atë. Më cudit ky qendrim”, tha akademiku Qosja.

Më tej Rexhep Qosja foli edhe për liberalizimin e vizave. Ai tha se ky proces ndodhi edhe me vendet e tjera të rajonit, por atje nuk u festua. Për të kriza në Shqipëri nuk është vetëm politike, por e gjithanëshme.

Në planin ekonomiko-shoqëror akademiku i njohur nënkuptoi se vendi është drejt polarizimit shoqëror me një pakicë shumë të pasur e me pjesën tjetër të varfër pasi, sic tha ai, në Shqipëri shtresa e mesme është e shkatërruar

“Vizat u liberalizuan në Serbi e Mal të Zi, por askush nuk festoi. Kriza është politike, ekonomike, shoqërore, morale, shpirtërore, e gjithëanshme. Shtresa e mesme në Shqipëri është e shkatërruar. është cmenduri të mohosh kërkesën e gjysmës së popullit, është iracionale, edhe për këtë fakt mua me cudit sjellja e Europës”, deklaroi zoti Qosja.

Në fund të fjalës së tij, akademiku kosovar apeloi për shfrytëzimin e mundësisë që i ka ardhur kombit shqiptar me nisjen e këtij shekulli. Kjo mundësi tha ai shfrytëzohet me bashkimin e forcave krijuese e ndërtuese të të gjithë popullit për të pushtuar historinë.

Top Channel