Qosja: Berisha po privatizon Shqipërinë

07/02/2011 22:30

Akademiku i njohur kosovar, Rexhep Qosja ka fajësuar kryeministrin Berisha për situatën politike ku ka hyrë Shqipëria.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Qosja ka deklaruar se Berisha po bën luftë me institucionet për të realizuar qëllimet e tij personale.

“Dikush do që ta bëjë Shqipërinë shtet privat. Shqipëria është shtet i privatizuar. Prej kujt? Prej Sali Berishës. Berisha bën betejë të pandërprerë për të privatizuar shtetin shqiptar. Kur është në pushtet bën luftë që njerëzit e tij të kapin pozitat që do ai. Ndërsa kur është në opozitë bën gjëra të palejueshme për të marrë pushtetin”, ka deklaruar Qosja.

Sipas tij, pretendimet e Berishës se më 21 janar Partia Socialiste tentoi të kryente një grusht shteti është absurd.

“21 janari nuk ishte grusht shteti, ishte protestë. Nuk bëhet grushti i shteti me cadra, por me tanke. Si ata që u futën me tanke në 98-ën”, ka pohuar Qose, i cili ka denoncuar luftën e ashpër që Berisha po zhvillon me institucionet kushtetuese, prokurorinë dhe presidencën.

“Ne kemi luftë të këtij njeriu me prokurorët, me Rakipin, me Sollakun, që i përjashtoi dhe tani me prokuroren që ka vënë vetë. Një luftë e paskrupullt, me fyerje të rënda. Ku ka kryeministër në botë që bën të tilla fyerje? Edhe me presidentët. Bëri luftë me Rexhep Mejdanin, me Moisiun. Luftë të ashpër me një kandidaturë që e kishte pranuar PD. Dhe tani me Topin, me funksionarin e vetë. Kjo luftë ndodh për të privatizuar shtetin. Madje, lufta vazhdon me mediat. Berisha i ka kaluar të gjithë kufijtë e së lejuarës”, ka theksuar Qose.

Një tjetër faktor që rëndon pozitën e kryeministrit shqiptar, sipas akademikut të njohur, është fjalori i papranueshëm që ai përdor në Parlament ndaj eksponentëve të opozitës.

“Unë e kam parë atë si flet në Parlament për deputetët e opozitës, për kryetarin e opozitës. Ky njeri shqipton më shumë të pavërteta sesa shqiptojnë njerëz të paguar. Parlamenti është institucioni i formimit të shqoërisë, institucion edukativ, moral. Ai përfaqëson popullin shqiptar. Ashtu flet populli shqiptar, sic flet Berisha me deputetët? Jo, unë kam koncept tjetër për popullin shqiptar. Populli shqiptar ka etikë, ka luftuar për të drejta. Fyerja ka pasoja të rënda”, ka pohuar Qosja.

Më tej, profesori ka folur edhe për figurën e liderit të opozitës, duke e cilësuar atë si një figurë të përgatitur dhe racionale, por jo në nivelin e duhur për t’u përballur me një kryeministër si Berisha.

“Rama ka një mendje të kthjellët. Fjalimet e tij janë tekste që nuk mund t’i formulojë kushdo. Ai është një gojtar i mirë, i sistemuar, racional. Argumentet e tij janë të qendrueshme. Askush nuk bën analizë më të mirë të realitetit shqiptar. Por kjo nuk mjafton për të qenë politikan i shquar. Politikani duhet të ketë edhe dicka që për mendimin tim Rama nuk po e tregon”, ka deklaruar Qosja.

Ai ka kritikuar edhe strategjinë e fundit të Partisë Socialiste, për të rrëzuar qeverinë Berisha me protesta.

“Pyka nxirret me pykë, thotë fjala e urtë. Por nuk zgjidhen problemet me Berishën me fjalë të tilla. Me Berishën duhet të bësh një politikë të vendosur. Unë përkrah protestat, që janë një mjet demokratik. Në Shqipëri PS nuk di të bëjë protesta. Bëhen një ditë, pastaj pas një jave, pas një muaji e pas dy muajsh. Kot”, ka nënvizuar Qose.

Më tej ai ka kritikuar edhe qëndrimin e faktori ndërkombëtar, i cili sipas tij nuk dëshiron forcimin e institucioneve shqiptare, por kontrollin e tyre.

“Berisha thotë se s’ka numërim të votave. Në Kosovë u rinumëruan 40 për qind të votave. Mua më cudit Evropa që kundërshtoi rinumërimin dhe e solli Shqipërinë në këtë krizë. Ndërkombëtarët nuk duan institucione të forta në Shqipëri, por duan udhëheqës të fortë që të jenë servilë dhe të bëjnë atë që kërkojnë ata”, ka thënë Qose, i cili ka rekomanduar edhe opsionin që zgjidh situatën në Shqipëri.

“Zgjidhja nuk është e vështirë. Zgjedhjet e parakohshme bëhen shumë lehtë. Nëse s’kalon një ligj në Evropë, kalohet në zgjedhje. Në Shqipëri janë djegur kushtet për zgjedhje të reja dhe ai që cohet kundër zgjedhjeve të parakohshme po përpiqet të zgjasë krizën në Shqipëri. Zgjedhjet po i kërkon gjysma e Shqipërisë. Duhet të shkohet në zgjedhje. Edhe këtu më cudit Evropa”, ka shtuar Qosja.

Top Channel