Prifti në tryezën e opozitës

07/02/2011 20:00

Tryeza e opozitës kishte një të ftuar të ri, Dritan Priftin. Petro Koci konfirmoi i pari përfshirjen e tij në klubin opozitar.

“Zoti Prifti iu bashkua kësaj tryeze. Fillimisht ai na informoi mbi marrëdhëniet me drejtësinë dhe mendoj se akti i tij i denoncimit duhet të pasohet nga vendosmëria e opozitës dhe qytetarëve për të vazhduar aksionin për rrëzimin e qeverisë nga pushteti”, deklaroi Koci.

Vetë Dritan Prifti konfirmoi synimin e tij për përfshirjen e afërt të tij me grupin parlamentar socialist.

“Së shpejti do të bëj kërkesë të jem në grupin parlamentar të PS, s’mund të qëndroj në grupin e LSI. Tani jam një deputet i pavarur dhe do ta bëj kërkesën në ditët e ardhshme”, tha Prifti.

Ndërsa Paskal Milo konfirmoi vazhdimin e protestave dhe lajmëroi mbajtjen e një proteste të madhe në ditët në vijim.

“Më të fuqishmen që mund të jetë zhvilluar deri tani në Tiranë dhe do adoptojmë mjete e instrumente të reja demokratike për ta detyruar mazhorancën të kuptojë se duhet të shkojmë në një zgjidhje të re politike”, theksoi Milo.

Pas demonstratës-homazh të 28 janarit, opozita ka lajmëruar se protestat e saj do të mbahen cdo të premte.

Top Channel