Malaj: Kriza e cmimeve prek familjet

07/02/2011 20:05

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj vëren se rritja e fortë e cmimeve për lëndët e para dhe ushqimet në tregjet botërore po përkeqëson krizën tek familjet shqiptare dhe është një këmbanë alarmi për ekonominë.

Konsumatorët shqiptarë kanë filluar ta ndjejnë rritjen e cmimeve. Nafta kërcënon ekonominë se përdoret edhe në industri.

“Duhet të kemi parasysh se cmimet rriten shumë shpejt dhe bien shumë ngadalë. Periudha që konsumatorët do të kalojnë me cmime të rritura do jetë e gjatë”, deklaron Malaj.

Ish-kreu socialist shprehet se qeveria duhet të ndërhyjë për të zbutur pasojat dhe sipas tij për këtë ka disa mënyra.

“Ka vende që në momente të caktuara ngrijnë ngarkesën fiskale dhe veprojnë menjëherë paketat sociale”, sugjeron Malaj.

Shteti është ai që përfiton më shumë nga krizat e cmimeve, pasi qeveria mbledh më shumë të ardhura nga taksat kur cmimet rriten.

“Kur kjo krizë thellohet është e pamundur, aq më tepër në rastin e Shqipërisë, që të mendohet se do ta amortizojë goditjen duke bërë indeksimin e të gjithëve. Duhet të mendojmë një zgjidhje gjithëpërfshirëse jo vetëm me taksa, por me paketa sociale dhe me faktorin politik të vendit”, thotë Malaj.

Edhe pse norma më e fundit zyrtare që ka publikuar INSTAT për inflacionin është ajo e dhjetorit me 3.4 për qind, sinjalet e para të një krize cmimesh nuk mungojnë.

Po gjatë këtij muaji, sipas INSTAT, rritja mujore e cmimeve, ose inflacioni mujor ishte më i larti në 6 vitet e fundit, një tendencë që nëse vazhdon parlajmëron kohë të vështira për buxhetet e familjarëve.

Top Channel