Dështimi i procesit “Gërdeci”

07/02/2011 16:55

Lirimi i protagonistëve të procesit “Gërdeci” ka shkaktuar reagime politike. Partia Demokratike, përmes deputetit Enkelejd Alibej tha se Mihal Delijorgji është një mik i Edi Ramës dhe kjo ka bërë që ai të ndikojë në dështimin e procesit përmes prokurorisë.

“Dalja nga burgu e Delijorgjit dhe shokut të tij vjen nga sabotimi i procesit nga grupe të lidhura me Edi Ramën. Ky lirim është një vrasje për së dyti e viktimave. Ne denoncojmë sabotimin e procesit nga ndërhyrja e Ramës. Druajmë se pas këtij sabotimi qendron Rama dhe mafia që e rrethon”, deklaroi Alibeaj.

Ndërsa nga PS, deputeti Taulant Balla reagoi duke thënë se kjo është një përgjegjësi e qeverisë dhe tregues i korrupsuionit të drejtësisë. Balla tha se me këtë ngjarje ka qenë i lidhur drejtpërdrejtë djali i kryeministrit dhe zyrtarë të qeverisë.

“Sot u riprovua se ku ka rënë drejtësia shqiptare, u riprovua kapja dhe presioni i Berishës mbi drejtësinë, lidhja e drejtpërdrejtë e Berishës dhe të birit me të akuzuarit e Gërdecit. U provua se ku po e zhyt korrupsioni Shqipërinë. Dita e sotme u rikonfirmoi shqiptarëve betejën e cmuar të opozitës për drejtësi. Përgjegjësia e Gërdecit është e kryeministrit, e djalit të tij dhe ministrave përreth”, tha Balla.

Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i gjykatës së Tiranës, e cila kërkoi përmes zëdhënëses që vendimi i saj të mos politizohet.

“Ne bëjmë me dije se tejkalimi i afateve të paraburgimit erdhi për shkak të zvarritjeve të procesit pas mungesave të avokatëve. Procesi do vazhdojë të zhvillohet, pavarësisht gjendjes së të pandehurve. Një vendim gjyqësor, i bazuar në ligj, nuk mund të komentohet për interesa politike”, deklaroi Bujana Tanacica, zëdhënëse e gjykatës.

Top Channel