21 janari, Ndoka në prokurori

07/02/2011 16:15

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka dha shpjegimet e tij në prokurorinë e Tiranës për llogari të hetimeve të nisura pas njërës prej dosjeve të dorëzuara nga policia e Tiranës për thirrje publike për dhunë, në demonstratën e 21 janarit.

Referuar një shkrimi në një të përditshme, ku zoti Ndoka ftonte njerëzit të protestonin, policia ka depozituar këtë artikull si material shtesë mbi opsionin e saj, ndersa zoti Ndoka e konsideron veprimin e policisë si demagogji.

“Denoncimi i policisë nuk ishte profesional, ishte i një natyre politike. Është për të ardhur keq që Policia e Shtetit është kthyer në një seksion të PD, duke numëruar protestuesit”, ka deklaruar Ndoka.

Më herët prokurorët kishin thirrur për një tjetër cështje nën hetim, atë për tubimin e paligjshëm, edhe deputetët Tom Doshi dhe Paulin Sterkaj, të cilët pritet të rikthehen në prokurori këtë të hënë apo një nga ditët e javës.

I thirrur nga prokuroria për rrjedhën që mori demonstrata e 21 janarit është edhe ish-drejtuesi i Policisë së Tiranës, Pjerin Ndreu.

Top Channel