Mblidhet Këshilli Kombëtar i PD

06/02/2011 12:10

Kryetari i Partisë Demokratike dhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke folur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike u shpreh se vota e lirë është objektivi i partisë dhe koalicionit që ai drejton.

“Në këto 20 vite, PD ka mbrojtur më shumë se çdo gjë tjetër të drejtën e shqiptarëve për të votuar të lirë dhe ka luajtur rolin e avokatit për vullnetin e lirë të shqiptarëve. Në zgjedhjet e lira e të ndershme qëndron forca e PD-së. Votuam të lirë në 2009 prandaj dhe u arrit heqja e vizave. Dëshmuam në 2007-ën se qeveria e PD dhe e koalicionit të saj ishte për vullnetin e lirë të shqiptarëve”, theksoi Berisha.

Kryeministri i vendit foli edhe për përgatitjet e zgjedhjeve të 8 majit: “Shkojmë në zgjedhjet e 8 Majit me vendosmërinë për tu dhënë shqiptarëve mundësinë për të shprehur vullnetin e tyre njëlloj si europianët. Ne shkojmë në këto zgjedhje të sigurtë në një fitore të thellë e të merituar sepse kam besimin se anëtarësia e PD-së do të përzgjedhë kandidaturat për kryetarë komunash e bashkish gratë dhe burrat më të mirë, më të zotë e më të ndershëm. Pa humbur kohë, do të bëhet një diskutim i gjerë për përzgjedhjen e tyre.”

Nga selia e PD-së, Berisha sulmoi sërish atë që ai e quan “puçi i 21 janarit”: “Garantoj se ishte vota e lirë ajo që prishi ëndrrën puçiste të kreut të PS-së. Vota e lirë ishte më e fortë se bombat molotov, bandat e kriminelëve, intrigat e ulta me të cilat ishte vendosur të përmbysej pushteti legjitim. Vota e lirë është më e fortë se çdo gjë tjetër. Do i japim shqiptarëve një stacion të ri në rrugën e konsolidimit të demokracisë.”

Më pas, Berisha foli edhe për objektivat e mazhorancës qeverisëse: “Objektivi ynë madhor është që Shqipëria të jetë një vend i zhvilluar deri në vitin 2017 dhe kjo bëhet me mbështetje nga të katër anët e vendit.”

Top Channel