Mbërrin trupi i Aleks Nikës

06/02/2011 21:05

Rreth orës 14 është ulur avioni që mbante në bord  trupin e viktimës së katërt të 21 janarit, të riut nga Lezha, Aleks Nika.(UPDATE)

Të afërm, familjarë, shokë të Nikës si dhe banorë të tjerë nga Lezha kanë qendruar gjatë në aeroportin Nënë Tereza duke pritur  trupin e pajetë i cili shoqërohej nga xhaxhai i tij.

Përvec familjarëve të cilët i nisën zakonet e mortit për të pranishmit që në aeroport. mes njerëzve, dalloheshin edhe deputetë të Partisë Socialiste bashkë me kreun e tyre Edi Rama, të ardhur për t’iu gjendur pranë familjarëve të Aleks Nikës, 35 vjecarit që erdhi në Tiranë për të protestuar, por mbeti i vrarë në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Rreth orës 14 e 45 kortezhi me trupin e Nikës është nisur drejt qytetit të tij të lindjes Lezhë, ku Aleksit, djalë i vetëm i familjes Nika si dhe baba i fëmijëve, do t’i bëhen nderimet e fundit.

Aleks Nika u dërgua në Turqi, pasi qendroi disa ditë në gjendje koma në spitalin ushtarak në Tiranë. Por atje pësoi vdekje klinike dhe të shtunën paradite ndërroi jetë.

Mësohet se 20 minuta pas vdekjes Aleksit i është hequr plumbi të cilin bashkë me dosjen, prokuroria turke ia  ka dërguar në rrugë postarë prokurorëve shqiptarë për të vijuar hetimet.

Rama në shtëpinë e Hekuran Dedës

Pak përpara se të mbërrinte në aeroport, për të pritur trupin e pajetë të Aleks Nikës, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i shoqëruar nga nëna e tij. Aneta Rama dhe bashkëshortja Linda janë ndalur pranë familjarëve të Hekuran Dedës për t’i shprehur ngushëllime familjarëve të tij.

Hekuran Deda nga Dibra, por që jetonte me familjen e tij në fshatin Laknas në Tiranë është një tjetër viktimë e demonstratës së 21 janarit, i cili mbeti i vrarë me armë zjarri.

Top Channel