Berisha: Pucistët s’do ta rrënojnë turizmin

05/02/2011 12:45

Kryeministri i vendit, Sali Berisha ka deklaruar se dhuna e protestës së 21 janarit dëmtoi imazhin e Shqipërisë, por nuk do të dëmtojë një nga sektorët më fitimprurës, që është ai i turizmit.

“Ato flakë që u ndezën për pushtet kanë dëmtuar padiskutim thellë imazhin e vendit, por nga ana tjetër ato dëshmuan forcën e hekurt të ligjit dhe institucioneve. Jam i bindur se qytetarët nga mbarë bota do të gjejnë në këtë vend siguri të plotë”, ka pohuar Berisha.

Duke folur në mbledhjen e kabinetit të tij, kryeministri ka komentuar protestat e djeshme të opozitës, drejtuesit e të cilave morën sipas tij përgjigjen e merituar nga qytetarët.

“Qytetarët i dhanë dje protestës së pucistëve përgjigjen e merituar. Qytetarët e qyteteve të ndryshme u vunë kufirin tek thana pucistëve dhe u bënë të qartë se në Vlorë nuk mund të luhej, se Vlorën nuk mund ta tërheqë kush në aventurën puciste të atyre që konsiderojnë dhunën për të marrë pushtetin”, është shprehur Berisha, i cili ka falenderuar qytetarët për qëndrimin e tyre.

“Shpreh nderim dhe vlerësimin më të madh për të gjithë qytetarët e Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Fierit, Lushnjes, që i dhanë një përgjigje thirrjes së pucistëve për demonstratë. Ndërsa kryeqyteti dje përcolli me përcmim zjarrvënësit e tij të 21 janarit”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, ruajtja e resorteve turistike do të jetë një përgjegjësi prioritare e qeverisë edhe gjatë zgjedhjeve lokale të 8 majit.

“Për shkak të zgjedhjeve lokale që bien më 8 maj, që janë një përgjigje ndaj pucistëve dhe një tjetër festë e demokracisë, ministrat do të jenë në detyra të caktuara e konkrete. Për cdo rreth dhe qark ata do bashkëpunojnë me qeveritë vendore, të cilat jam i sigurt se në fushatën e tyre elektorale do të kenë si prioritet turizmin”, ka nënvizuar Berisha, i cili u ka shpërndarë detyrat ministrave.

Më tej, për të promovuar sa më shumë turizmin shqiptar, kreu i qeverisë ka propozuar transmetimin e spoteve publicitare në rrjetet CNN, Euronews, si dhe në mediat e vendeve të rajonit.

Top Channel