Konsiderohet një nga qytetet më të rinj në Shqipëri që shtrihet në pjesën lindore të Shqipërisë së Mesme. Në momentin kur përfunduan së funksionuari qarqet, si njësi administrative, Librazhdi u shkëput nga Elbasani dhe kaloi si rreth më vete në 1958.

Përbëhet nga 2 bashki dhe 9 komuna, me një popullsi autoktone, me gjatësi kufitare    42 km, kufizohet nga Bulqiza, Elbasani, Gramshi në jug dhe Maqedonia në lindje.

Shkojmë në komunat Polis, Orenjë, Hotolisht, Qukës apo Rajcë përmes objekteve urbane që i gjejmë në Muzeun Etnografik të Qytetit.
 
“Kostenja dallohet për ndërtimin e shtëpive në formën e kullave. Shtëpitë ishin 2-3 katëshe dhe ishin të rrethuara. Shtëpitë ndërtoheshin me gurë dhe me baltë”, shprehet Mustafa Drishti.

Katet e sipërme të këtyre ndërtesave, që dikur ishin pronë e shtresave të pasura, përdoreshin për pritjen e miqve.

Viset që shtriheshin në rrjedhën e sipërme të Lumit Shkumbin, quheshin Kandavia, aty ku gjejmë Librazhdin e sotëm. Në Mesjetë, trevat u quajtën Aranitia dhe zotëroheshin nga familja e vjetër e Shqipërisë, ajo e Aranitëve.

Më pas, me emrin “Libarios” qyteti u shtri përgjatë rrugës historike “Egnatia”, dëshmi të së cilës e ndeshim sot me emrin “Ura e Kamarës”
 
“Ura e Kamarës ndodhet mbi lumin Shkumbin në afërsi të fshatit Plane të komunës Polis. Ura ka luajtur një rol të rëndësishëm si pjesë e degëzimit të rrugës së lashtë romake Egnatia”, shpjegon historiani Ismet Hasa.

Rrugës për në Përrenjas gjendet “Ura e Bushtricës”, 70 metra e lartë, e konsideruar ndër urat më të larta hekurudhore në vend.

Ky memorial i kohëve të vona, dëshmi e së kaluarës, përkujton Vislon Blloshmin dhe Genc Lekën, dy poetë të rinj që teksa jetonin, mbillnin “fjalën e bukur”. U pushkatuan nga ish-regjimi komunist në1977 .Të vendosura në qendër të qytetit, dy kokat, e larta aq sa shkon vështrimi i vizitorit, bëhen pjesë e përditshme e jetës së qytetit.

Por, ky qytet i vogël është i lidhur shumë me futbollin. Ekipin e Sopotit edhe në këtë ditë të ftohtë e gjejmë duke u stërvitur në fushën e blertë. Në këtë skuadër që ende vazhdon t`ua “rrëmbejë” zemrat tifozëve, takojmë Jovan Gugun, themeluesi i skuadrës në vitet `60.
 
“Kemi pasur emra të njohur të futbollit shqiptar si Vangjush Samarxhiu, Demir dhe Fatmir Bebeti, Shpëtim Lamçe, Fatmir dhe Skënder Ibërshimi etj”, kujton Gugu.

Ky ishte Librazhdi buzë Shkumbinit, një qytet i vogël, por me njerëz të mirë që e duan vendlindjen dhe e vlerësojnë atë çdo ditë e më tepër.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel