PD: Qytetarët bojkotuan protestat

04/02/2011 16:55

Partia Demokratike ka përshëndetur qytetarët shqiptarë, të cilët sipas saj, bojkotuan sot protestat e opozitës së majtë.

“Përshëndes qytetarët e Tiranës, Krujës, Kavajës dhe Durrësit, që bëjnë 1 milionë e 200 mijë banorë, të cilët i dhanë përgjigjen e merituar me bojkotin e tyre kryepucistit Rama”, ka deklaruar deputeti Aldo Bumci.

“Qytetarët e Tiranës, Krujës, Kavajës dhe Durrësit bojkotuan protestën e kryepucistit, që më 21 janar rrethoi për 5 orë ndërtesën e kryeministrisë, me mercenarë dhe kriminelë”, ka vijuar ai.

Bumci është shprehur se me bojkotin e tyre, qytetarët u dhanë mesazhin më të mirë “bllokmenëve”, që sipas tij duan të marrin pushtetin përmes dhunës.

“Qytetarët e Tiranës, Kavajës, Krujës dhe Durrësit sot bojkotuan bllokmenët, që vërtetuan në sytë e gjithë botës se janë të gatshëm të djegin vendin vetëm për të marrë pushtetin. Mazhoranca përshëndet qytetarët dhe i garanton ata se askush nuk do t’ua shkelë të drejtat”, ka shtuar Bumci.

Top Channel