Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë jep alarmin se në gjykatat e rretheve kufitare me Greqinë po hasen qindra kërkesa për ndryshim kombësie.
Kreshnik Spahiu e cilëson si një cënim, të sovranitetit të Shqipërisë, faktin e thirrjes së Nikolas Geixh për ndryshimin e kombësisë së shqiptarëve, si edhe e cilëson antiligjore dhe praktikën e ndjekur në gjykatë.
“Vihet re një interpretim i gabuar dhe shkelje e ligjit të gjendjes civile, ku në gjykatat shqiptare, me qindra qytetarë shqiptarë, kërkojnë pasaktësinë e dokumentave shkresore, me qëllim ndryshimin e kombësisë shqiptare në kombësi greke. Janë me qindra rastet dhe kjo përbën një rrezik për integritetin dhe sovranitetin e shtetit shqiptar. Shpeshherë në interpretim të gabuar dhe me abuzim ndaj ligjit, ku me shkresa siç janë një dokument nga kisha apo spitalet, ndryshohen kombësitë e paraardhësve”, tha Spahiu.
Numri dy i KLD-së, i bën thirrje edhe diplomacisë dhe shtetit shqiptar të kontribuojnë në ndalimin e këtij fenomeni që mund të ndikojë negativisht në rajon.
“Zonja Fajon i bën thirrje gjithë BE-së se rajoni është në rrezik dhe padyshim këto komponentë përbëjnë rrezik, jo vetëjm për Shqipërinë, por për gjitha rajonin. Në këto kushte do të bëja thirrje që shteti juridik në Shqipëri duhet të jetë më i vëmendshëm. Padyshim edhe gjykatat shqiptare, shteti, diplomacia shqiptare, sepse një thirrje për ndryshim dhe zgjidhje të lirë, në kundërshtim me ligjin, të kombësisë, padyshim nuk i shërben forcimit të shtetit shqiptar”, deklaroi Spahiu.
Në emër edhe të Këshillit, Spahiu i ka bërë thirrje gjyqtarëve që do të marrin në shqyrtim këto çështje se do të monitorohen imtësisht.
Top Channel