Basha: Sukses në luftën kundër drogës

03/02/2011 13:20

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ka deklaruar se ekspertët e sigurisë të Bashkimit Evropian kanë vlerësuar me nota maksimale punën e policisë shqiptare në luftën kundër drogës.

Gjatë një takimi me krerët e Policisë së Shtetit, Basha është shprehur se ky sukses i strukturave policore të vendit nuk është i rastësishëm.

“BE në mbledhjen e ekspertëve konstatoi se në Ballkan, policia shqiptare në vitin 2010 ka qenë më e mira në luftën kundër drogës. Ky vlerësim nuk është rastësi e aq më pak një inkurajim bosh. Është një konstatim që bazohet tek rezultatet e arritura nga policia shqiptare brenda dhe jashtë territorit”, ka deklaruar Basha.

Sipas tij, policia shqiptare ka arritur një sukses të vecantë në luftën kundër kanabisit, kultivimi i të cilit është reduktuar në mënyrë drastike përmes përdorimit të metodave të sofistikuara.

“2010-a shënon një tkurrje prej 40 për qind të sipërfaqeve të kultivuara me kanabis dhe aktualisht kemi 70% sipërfaqe më pak të kultivuara se në vitin 2005”, ka saktësuar Basha.

Ai ka nënvizuar se sukses është arritur edhe në konfiskimin e drogave të rënda, që trafikohen nga zinxhire ndërkombëtare përmes territorit tonë.

“Por konstatimi nuk bazohet vetëm këtu, por edhe tek tranziti i heroinës, kokainës, etj. Operacionet strategjike të policisë për të goditur krimin e organizuar fokusohen pikërisht në këtë pikë. Raporti evideonton se futja e sistemeve moderne, ndërthurja e tyre me sistemet kufitare dhe bashkëpunimi me policitë e huaja, kanë cuar në një reduktim të vazhdueshëm të drogave që trafikantët kanë cuar ndërmend të trafikojnë përmes territorit tonë”, ka pohuar Basha.

Një tjetër pikë e prekur nga ministri i Brendshëm ka qenë sigurimi i kufijve detarë, dikur rruga kryesore për trafikimin e drogës drejt vendeve të BE, ku sipas tij është arritur sukses përmes zbatimit të moratoriumit të skafeve.

Top Channel