Lesi: Kriza, vendi rrezikon

02/02/2011 16:15

Nikollë Lesi, një ndër zërat kritikë brenda mazhorancës dhe qeverisë, kërkon një zgjidhje të shpejtë të krizës përmes dialogut, në të kundërt Shqipëria rrezikon të hyjë në një spirale zhvillimesh të rrezikshme dhe me pasoja.

“Duhet me cdo kusht që të ulen në tavolinën e bisedimeve Berisha dhe Rama. Nga tavolina s’ka asgjë të keqe, s’ka pazare, ka kompromis. Nëse s’ka kompromis do ketë një përballje të egër në muajt e ardhshëm. Unë shoh një përballje shumë të fortë, që do të na bëjë të pendohemi që s’gjetëm një zgjidhje”, deklaron Lesi.

Një ish-gazetar, luftëtar në shumë beteja mes medias dhe pushtetit, kreu i Lidhjes Demokristiane e ka cilësuar si një gabim të pafalshëm vendimin e komisionit parlamentar për 21 janarin, për hetimin e tabulatëve të gazetarëve.

“Nuk mundet kurrësesi, që një pushtet politik të hetojë, të ndeshet dhe të përballet me pushtetin e medias. Nuk mundet dhe historia ka treguar se këto përballje kanë qenë në disfavor të pushtetit politik. Për ngjarjet e 21 janarit unë preferoj të them që t’ia lëmë drejtësisë në dorë”, thekson

Lesi. Në kushtet aktuale, arritja e një dialogu të arsyeshëm mes palëve duket si një nga skenarët me të pamundur për politikën shqiptare.

Top Channel