Daul: Cështja i takon drejtësisë

02/02/2011 20:45

Kreu i Partive Popullore Europiane, Joseph Daul, i pyetur nga Top Channel mbi hetimet që po zhvillohen në Tiranë nga komisioni hetimor parlamentar për 21 janarin, tha se kjo është një cështje që i takon drejtësisë.

Daul tha se Shqipëria është një vend demokratik dhe jo një diktaturë dhe rekomandoi se zgjedhjet vendore nuk duhet të bojkotohen nga opozita.

Lidhur me kërkesën per tabulatët e telefonave të gazetarëve, Daul tha se liria e medias është thelbësore dhe esenciale për Bashkimin Europian.

TCH: Zoti Daul, Shqipëria është një vend demokratik, apo jo? Si e vlerësoni faktin që maxhoranca kërkon tabulatët telefonikë të zyrtarëve të lartë të institucioneve të pavarura, e së fundmi edhe për gazetarët, duke i akuzuar se janë pjesëmarrës në organizimin e grushtit të shtetit më 21 janar?

Daul: Përsa i takon Shqipërisë, nuk do përzihem në cështje që i takojnë drejtësisë, e kjo sepse unë nuk e njoh dosjën deri në fund. E vetmja gjë që unë njoh mbi Shqipërinë është se ka patur zgjedhje të përgjithshshme demokratike, të cilat u njohën nga instancat demokratike e që duhen zbatuar. Kjo do të thotë se opozita duhet të zërë vend në Parlament. Unë s’kam parë kurrë një demokraci, ku opozita, nuk shkon pasi bëhen zgjedhjet, në Parlament. Kjo së pari, së dyti nuk mund të bojkotohen zgjedhjet lokale. I duhet lënë gjithësesi zgjedhja qytetarëve për të votuar. Kjo është demokracia.

TCH: Zoti Daul, 3 vetë kanë vdekur në atë demonstratë dhe 4 gazetarë, ose janë rrahur, ose janë plagosur atë ditë nga mbrojtësit e institucioneve, edhe pse tregonin kartën e gazetarit. Opozita thotë se është kthim në regjimin e vjetër. Po për ju, a është normale? A kemi të bëjmë me diktaturë apo ende jo?

Daul: Unë besoj se fjala “diktaturë” është një fjalë shumë e fortë. Jam një sindikalist i vjetër. Kam organizuar demonstrata vetë, e në disa momente në manifestime ndodhin gjëra që nuk janë normale, e një mendim i vecantë nga ana ime iu shkon atyre personave që vdiqën. Unë për vete, si sindikalist, një ditë këtu në Bruksel humba një nga anëtarët e mi, jo për shkak të policisë, por sepse u shtyp nga një makinë. Është gjithnjë dramatike kur ndodhin të tilla gjëra. Sa për kartat e gazetarëve, në një moment të vështirë, në demonstrata, ne nuk mund të merremi me dosjen e të themi se ka një diktaturë. Ka gjëra që kanë ndodhur e që nuk janë normale që të ndodhin, por nuk mund të themi se Shqipëria është një diktaturë. Jo.

TCH: Po kërkesa për të marrë tabulatët e gazetarëve, duke i akuzuar si kriminelë, edhe kjo është normale, apo jo?

Daul: Jo, liria e shtypit është thelbësore. Këtu, në nivel të PPE-së, kemi bërë shumë panele për këtë që “liria e shtypit është esenciale”. Në vendet demokratike liria e shtypit është pjesë e demokracisë.

TCH: Pra, duhen treguar këta tabulatë para komisionit hetimor që ngriti zoti Berisha, apo jo?

Daul: Ej, shiko, unë nuk e di nëse është për një komision hetimor ose jo. Aty mos më shtroni pyetje mbi një dosje që është shumë teknike e tepër juridike. Përgjigjia ime është se liria e shtypit në demokraci është parësore.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel