Berisha: Të përmirësojmë imazhin

02/02/2011 16:05

Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Sali Berisha i ka kushtuar vëmendje vetëm përpjekjeve të kabinetit të tij për të rimëkëmbur imazhin e Shqipërisë europiane, të dëmtuar keq, sic tha ai, nga tentativa për puc shteti.

“Një puc dëmtoi në mënyrë thelbësore imazhin e këtij vendi. Por, një puc aventurierësh nuk do mund të ngadalësojë reformat e kësaj qeverie për ndërtimin e Shqipërisë evropiane”, ka deklaruar Berisha.

Sipas kryeministrit, ilaci më i mirë për të shëruar plagosjen e imazhit të Shqipërisë është buxheti afatmesëm 2011-2013, që përkon me fundin e mandatit të kësaj qeverie.

Duke miratuar këtë buxhet, kryeministri tha se sfida kryesore e këtij viti janë zhvillimi i zgjedhjeve loakle të 8 majit sipas standarteve më të larta ndërkombëtare.

“U garantoj qytetarëve se zgjedhjet e 8 majit do të jenë zgjedhje të standarteve evropiane. Ne do konsolidojmë standartet e arritura. Ne kristalizuam në vend teknikën më të saktë në botë të numërimit të votave”, ka theksuar Berisha.

Kryeministri përmendi me detaje prioritetet e buxhetit afatmesëm, që deri në vitin 2013 parashikon ndërtimin e 7 mijë kilometrave rrugë, duke përfshirë përfundimin e rrugës së Arbrit, autostradën e re me tunel Tiranë-Elbasan, si dhe rritjen e pagave dhe pensioneve, duke kapur standartet e disa vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Top Channel