Skema e re e qarkullimit

01/02/2011 16:30

Drejtues të Bashkisë së Tiranës shprehen të sigurt për skemën e re të qarkullimit të automjeteve që po zbatojnë në Tiranë, e cila, sipas tyre, nuk rëndon aspak trafikun në kryeqytet.

Ndryshe nga dita e hënë, gjatë ditës së martë nuk ka patur trafik të rënduar, pasi në të gjitha rrugët kryesore automjetet kanë qarkulluar lirshëm. Këtë, drejtues të bashkisë e premtojnë edhe për ditët në vijim.

“Sot e kemi monitoruar dhe me pak ngarkesë nga ora 7:30 deri në 08:10, kurse pjesa tjetër e ditës ka qenë plotësisht e lirshme në të gjitha pikat kryesore të qytetit. Është llogaritur që ditët në vijim të jenë më të qeta nga pikëpamja e trafikut. Ritheksoj dhe fakti që sot kemi një trafik më të lehtësuar, tregon që kapaciteti i rrjetit rrugor është plotësisht i mjaftueshëm për të përballuar flukset e trafikut. Duke punuar në një bashkëpunim me organet e policisë, jemi shpresëplotë se trafiku do të jetë shumë i lirshëm”, tha Enton Punavia, drejtor i Transportit në Bashki.

Lidhur me trafikun e rënduar një ditë më parë, Punavia pranon që në Tiranë ka patur trafik të rënduar, por sqaron se nuk ishte shkaku i tij skema e re e qarkullimit.

“Çdo devijim trafiku i cili kërkon kohën e vetë që qytetarët të orientohen. Dita e hënë është një ditë që ka një ngarkesë pak më të shtuar sesa ditët e tjera, megjithatë nga konstatimet tona del se ishte një problem i menaxhimit të trafikut dhe i informalitetit. Kishte shumë mjete të tonazheve të rënda si betoniere, kamiona ose dhe mikrobusë të cilët qarkullonin në zonat që prekin zonat hyrëse”, tha Punavia.

Sipas tij, çdo devijim që i bëhet qarkullimit të automjeteve në kryeqytet, studiohet me detaje, me qëllim për të lehtësuar qarkullimin dhe jo për ta rënduar atë.

Top Channel