Shpërthim tritoli tek “21 Dhjetori”

31/01/2011 14:20

Një sasi e vogël tritoli ka shpërthyer gjatë mesnatës tek kryqëzimi i “21 Dhjetorit”, me rrugën e Kavajës, në Tiranë.

Lënda eksplozive, u vendos nga persona ende të paidentifikuar në pikën e këmbimit valutor.

Policia tha se nga veprimet e kryera, rezultoi se tritoli u vendos në qepenin e pikës valutore, e cila pasi ka shpërthyer, ka dëmtuar qepenin dhe derën prej xhami.

Dëmet janë vetëm materiale, pasi në orën kur ka ndodhur shpërthimi nuk ka patur asnjë person në afërsi të pikës së këmbimit valutor.

Policia dyshon se qëllimi i hedhjes në erë të kësaj pikë ka qenë vjedhja e saj.

Por në sportelet e kësaj zyre nuk ka patur shuma parash.

Policia tha se po heton ne lidhje me identifikimin e autorëve të këtij krimi për akuzën e grabitjes duke përdorur lëndë eksplozive.

Top Channel