Marku: PS keqpërdor shtresat sociale

31/01/2011 21:55

Deputeti demokrat Mark Marku ka deklaruar se Partia Socialiste ka keqpërdorur shtresat e varfëra të vendit për qëllimet e saj politike.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Marku është shprehur se në protestën e 21 janarit në bulevard kanë zbritur më tepër elementë kriminalë sesa ata nga shtresat e varfëra, sikundër pretendon opozita.

“Gjëja më e rëndë është të manipulosh dhe instrumentalizosh kategoritë e varfëra. Problemi qëndron se në një demonstratë të tillë, sa njerëz të kësaj kategorie kishte? Pamë dy kategori protestuesish, njëra prej të cilëve ishte ndryshe nga njerëzit e mirë, pasi u treguan agresivë për 4 orë”, ka deklaruar Marku.

Ai ka akuzuar një grupim të caktuar në radhët e PS, të cilët permes pozitës së tyre financiare manipulojnë dhe përdorin për qëllimet e tyre shtresat e varfëra.

“Një grup socialistësh, me 10 miliarderë, financojnë këto protesta. Më mirë do të ishte krijimi i një fondacioni për t’i nxjerrë nga skamja, sesa përdorimi i tyre si kamikaz. Varfëria e këtyre njerëzve përdoret për të ardhur në pushtet një forcë politike, apo për të ikur një tjetër”, ka pohuar Marku.

Top Channel