Liqeni i dashur i shqiptarëve

31/01/2011 19:30

Liqeni artificial, si vendi që grumbullon të gjithë kryeqytetasit që preferojnë të shëtisin dhe të merren me sport në natyrë dhe ajër të pastër, u vendos në qendër të fokusit të emisionit të pasdites në Top Channel.

Kostumi sportiv, atletet e vrapimit, uji për të shuar etjen, shpesh edhe kufjet janë gjithçka që duhet për një vrap të lehtë dhe fillimin e një dite të mbarë për shumë njerëz.
 
Liqeni artificial është zgjedhja më e mirë, por njëkohësisht edhe e vetmja që të ofron kushtet minimale të domosdoshme, siç është pista e ecjes dhe e vrapimit.
 
Kështu, itinerari i të apasionuarve me aktivitetet në natyrë kufizohet pak a shumë në këtë perimetër që afërsisht arrin 5-6km.

”I vetmi vend ku vrapojmë është liqeni sepse është i vetmi vend që kemi në Tiranë për të vrapuar. Do të donim shumë të kishim edhe një vend tjetër alternativë, por këto janë kushtet”, thotë një vrapuese, ndërsa një tjetër shton se “ky është vendi i vetëm që mund të shpëtosh prej pluhurit në kryeqytetin tonë”.

Ka nga ata që krahas vrapit nga liqeni, shkojnë edhe në palestër për të pasur një trajnim më të specializuar. Gjithsesi, ajrit të pastër të orëve të para të mëngjesit nuk i rezistojnë dot as fëmijët, as adoleshentët, as të rriturit dhe madje as ata që tashmë mund të konsiderohen si mosha e tretë.

“Sot jam në pension, por që kur kam qenë 14 vjeç dal çdo ditë për vrap, pa bërë asnjë ditë pushim. Madje as të shtunën e as të dielën. Për mua është një kënaqësi, nuk është një punë që duhet bërë”, thotë një i moshuar, adhurues parkut.

”Pastaj, në moshën time, vrapi është shumë i mirë edhe për shëndetin e për t’u mbrojtur nga sëmundjet. Edhe kur prekesh nga gripi, nëpërmjet vrapit është më e thjeshtë të shërohesh”.

Xhulio është një nga fëmijët që, së bashku me shokët e lagjes dhe qenin e tij Roki, dalin çdo ditë në orën shtatë për ecjen e mëngjesit. “Më pëlqen të dal për vrap bashkë me shokë”, thotë 7-vjeçari. “Marrim vezë, bukë dhe qumësht me vetë dhe hamë në natyrë”.

Parku preferohet edhe nga njerëz të njohur të jetës artistike shqiptare. Dy prej tyre, Diana Ziu dhe Vangjel Toçe janë vizitorë të përhërshëm të parkut, në orët e para të ditës.

“Vite më pare, liqeni shërbente si një vendtakimi, herë me lejen e herë pa lejen e prindërve”, kujton me nostalgji Diana. “Sot, brezi i ri ka probleme me sëmundjet profesionale se nuk dalin të ecin, por rrinë gjithë ditën para kompjuterit dhe lëvizin me makinë”.

”E krahasoj me rininë e tanishme, atëherë të gjithë merreshim me sport, tani studentët i përkushtohen punëve të vështira që kanë, ku kompiuteri dhe interneti janë bërë si makina”, plotëson bashkëshorten Zoti Toçe.

E ndërsa ora shkon 9:30 e mëngjesit, numri i vrapuesve që frekuentojnë liqenin artificial duket në progresion gjeometrik për nga rritja e tij e vrullshme.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel