Komisioni, edhe tabulatët e gazetarëve

31/01/2011 12:55

Kjo javë do të jetë një nga më inetresantet në punën e komisionit hetimor parlamentar për veprimtarinë e isntitucioneve para, gjatë dhe pas 21 janarit.

Ky komision, ku marrin pjesë vetëm demokratët, ka miratuar planin për thirrjen në seancë dëgjimore të drejtuesve më të lartë të insitucioneve kryesorë të shtetit shqiptar.

Pas kryeministrit Berisha, që nga data 1 shkurt, të martën e deri më datë 5 shkurt, të shtunën, komisioni hetimor do të pyesë 7 njerëzit më të rëndësishëm të shtetit shqiptar rreth objektit të këtij komisioni, që është ngritur nga Parlamenti me objektin për të hetuar veprimet e institucioneve gjatë organizimit kriminal për marrjen e pushtetit me dhunë dhe ekzistencën e pucit të shtetit.

“Më konkretisht janë, më 1 shkurt ora 17:30, seancë me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, në lidhje me objektin e hetimit. Më 2 shkurt drejtori i SHISH Bahri Shaqiri, ndërsa në orën 18:00 të së njëjtës ditë takim me kryeprokuroren Ina Rama, me qëllim marrjen në pyetje. Më 3 shkurt 17:30 do të dëgjohet presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi, më 4 shkurt zoti Hysni Burgaj dhe komandanti i Gardës Ndrea Prendi. Dhe më 5 shkurt, seancë me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli”, ka deklaruar deputeti Viktor Gumi.

Ndërkohë, nga komisioni hetimor vjen edhe një kërkesë tjetër për zgjerimin e listës së personave të cilëve u kërkohet tabulatë telefonikë. Përvec tre zyrtarëve të shtetit, deputeti Gent Strazimiri ka kërkuar edhe tabultatët telefonikë të 4 gazetarëve.

“Do kërkojmë tabulatët e zotit Hysni Burgaj, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Olsi Celës, prokuror dhe gazetarëve Andi Bushati, Filip Cakulli, Sokol Balla dhe Mero Baze. Bëhet fjalë vetëm për skedarët”, ka deklaruar Strazimiri.

Kjo kërkesë për të përfshirë gazetarët pritet të hapë një debat të fortë për lirinë e medias në Shqipëri, jo vetëm sepse cënon burimet e gazetarit, por sepse ansjë ligj në vend nuk i pengon gazetarët për të komunikuar me këdo për informimin e publikut dhe për të bërë atë që kryeministri Berisha e cilëson si transparencën e institucioneve në cdo qelizë të tij.

Top Channel