Aleatët: Protestat do të vazhdojnë

30/01/2011 12:30

Pas mbledhjes së Opozitës së Bashkuar, aleatët e Partisë Socialiste kanë dalë me qëndrimin se protestat do të vazhdojnë.

“Shprehim gadishmërinë për të vazhduar rezistencën paqësore për të mbrojtur Shqipërinë demokratike dhe të ardhmen e saj europiane”, u shpreh Paskal Milo.

“Berisha po merr nën thundrën e tij të gjitha pushtetet e pavarura. Ky është një kërcënim serioz për demokracinë. Po vendoset diktatura e një njeriu të vetëm”, shtoi Milo.

Skënder Gjinushi, kryetari i Partisë Socialdemokrate, tha pas përfundimit të mbledhjes së liderve opozitarë: “Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja sepse Berisha po bën një grusht shteti brenda shtetit. Berisha po gjunjëzon institucionet demokratike së bashku me popullin shqiptar.”

Spartak Ngjela, kryetar i PLD-së, nga ana e tij nënvizoi: “E konsiderojmë këtë gjendje marrëzinë e një njeriu që kërkon të shkatërrojë shtetin. Berisha kërkon një pakt midis pushtetit dhe dhunës.”

“Do vazhdojmë protestat. Do i përgjigjemi me forcë morale kërcënimeve të Berishës. Do vazhdojmë betejën tonë për një shtet ligjor”, përfundoi Ngjela.

 

Top Channel