Rama, garanci ndërkombëtarëve

27/01/2011 20:15

Kryetari i PS, Edi Rama i ka dhënë pasditen e sotme faktorit ndërkombëtar garancinë e tij se demonstrata e nesërme në nder të tre viktimave të 21 janarit do të jetë e qetë dhe paqësore.

Në një konferencë për shtyp, Rama ka deklaruar se “rezistenca paqësore” e opozitës nuk do të ndalet. Ajo sipas tij do të vazhdojë e distancuar nga aktet e dhunës.

“U shpreh mirënjohjen dhe falenderimet më të sinqerta të gjithë miqve dhe partnerëve të Shqipërisë, të gjithë përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar dhe i siguroj, ashtu si dhe gjithë qytetarët, se vullneti ynë i palëkundur dhe bindja jonë e padiskutueshme është që jo vetëm demonstrata-homazh e ditës së nesërme, por e gjithë rruga e rezistencës sonë paqësore nuk do ketë asnjëherë lidhje me asnjë lloj forme të dhunës”, ka pohuar Rama.

“Ne besojmë tek drejtësia e kësaj përpjekjeje, tek domosdoshmëria për t’i dhënë zgjidhje krizave që rëndohen përditë, duke bërë më të vështirë jetën në vend për të gjithë ata që nuk jetojnë në oborrin e regjimit të kusarisë dhe matrapazllëkut. Ne gjithashtu besojmë se është një detyrim i patjetërsueshëm që të qendrojmë për ato ëndrra dhe shpresa të një populli të tërë dhe të atyre që për shkak të dorës vrastare të pushtetit humbën jetën më 21 janar”, është shprehur ai.

Rama ka nënvizuar se manifestimi i nesërm do të jetë një tubim në nder të tre viktimave, i cili do të karakterizohet vetëm nga lulet, qirinjtë dhe heshtja, për të riafirmuar para gjithë botës tendencën paqësore të opozitës.

“Përsëris apelin për të gjithë ata që dëshirojnë të jenë nesër në këtë demonstratë-homazh. Një apel për të mos harruar për asnjë cast se nesër është dita e atyre tre burrave të varfër e të ndershëm që nuk janë më mes nesh dhe është koha për të nderuar kujtimin e tyre me traditën më të mirë shqiptare në sytë e mbarë botës. Lulet, qirinjtë e lutjes për një Shqipëri më të mirë dhe heshtja janë tiparet e patjetërsueshme të asaj që ne do bëjmë nesër, duke riafirmuar natyrën tërësisht paqësore të rezistencës sonë dhe parimeve tonë që janë integrimi në evropë”, ka deklaruar Rama.

Më tej, lideri i opozitës ka kërkuar nga ata që do jenë nesër në manifestim që të mos shkaktojnë asnjë provokim dhe të mos provokohen nga asgjë.

Top Channel