OSBE: Të anulohen mitingjet

27/01/2011 19:15

I dërguari i posacëm i OSBE-së për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri, Evaldas Ignatavicius ka përsëritur në Tiranë apelin e faktorit ndërkombëtar për heqjen dorë nga dhuna.

“Jam këtu për të diskutuar ngjarjet e 21 janarit dhe situatën aktuale. Ne reaguam menjëherë duke ardhur në Shqipëri, duke shprehur keqardhjen për humbjen e jetëve dhe për të bërë thirrje për heqjen dorë nga dhuna”, ka deklaruar Ignatavicius.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur para pak castesh, ai ka kërkuar gjithashtu nga ana e opozitës anulimin e mitingjeve të paralajmëruara.

“Meqenëse situata në Tiranë mbetet e tensionuar, ne përdorëm mjetet tona. Unë kam zhvilluar telefonata me kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës Edi Rama, të cilëve u kam kërkuar anulimin e mitingjeve pasi mund të cojnë në dëme të mëtejshme”, ka pohuar Ignatavicius.

Ai është shprehur në të njëjtën linjë me ndërmjetësin e OSBE, Miroslav Lajcak, për një hetim të pavarur të ngjarjeve të 21 janarit, gjë që sipas tij do të ndihmonte në uljen e tensioneve.

“Ne po bashkëpunojmë ngushtë me BE-në. Zoti Lajcak ishte dje këtu dhe unë po ju parashtroj të njëjtat pika. Ashtu si dhe zoti Lajcak, unë mendoj se hetimi i pavarur i ngjarjeve të 21 janarit mund të cojë në një qetësim të tensionit. Edhe shtyrja e grumbullimeve masive mund të ndihmojë për ta qetësuar situatën. Ne ua transmetuam këtë mesazh përfaqësuesve më të lartë politikë në Shqipëri”, ka nënvizuar Ignatavicius, i cili është shprehur optimist për zgjidhjen e situatës.

“Jam takuar me Ramën dhe Berishën, ndërsa nesër do takoj presidentin dhe prokuroren e përgjithshme. Pas këtyre takimeve do të kemi një perspektive ndryshe pas atyre që ndodhën më 21 janar. Besoj se kjo do të na ndihmojë ne që të përdorim instrumentet e duhura që ta ndihmojmë Shqipërinë të dalë nga kjo krizë”, ka vijuar ai.

Më tej, i dërguari i OSBE u ka bërë sërish apel partive politike që të heqin dorë nga gjuha e ashpër dhe që të vendosin mbi gjithcka interesat e qytetarëve.

“U bëj thirrje partive politike që të ulin tonet dhe të mos përdorin gjuhën e urrejtjes. Do t’i bëjë thirrje liderëve politike që të fokusohen në interesat kombëtare. Shqipëria duhet t’i kthehet dialogut politik dhe të arrijë një kompromis kushtetues. Është e parakohshme të flas për rezultate, por bisedimet me Berishën dhe Ramën ishin të sinqerta dhe konstruktive”, ka shtuar Ignatavicius.

Top Channel