Hoxha: Policia nuk menaxhoi mirë situatën

27/01/2011 22:10

Artan Hoxha, një nga gazetarët që ndoqi nga afër demonstratën e 21 janarit, ka rrëfyer në emisionin “Top Story” momentet e para të ngjarjeve tragjike.

“Ka pasur pjesëtarë civilë të policisë që kanë qenë para kordonit policor dhe kanë ndërhyrë në disa momente. Para se të fillonte demonstrata kishte një prani të madhe të policisë së rendit dhe grupeve të gatshme. Prapa kryeministrisë ishin forcat e FNSH-së”, ka treguar Hoxha.

Sipas tij, në momentet e para kur protestuesit ishin mbledhur para kryeministrisë, ka qenë një grup që po shkaktonte trazira, të cilin policia nuk arriti ta bllokonte.

“Para se të niste konflikti është dukur një grup personash që janë aktivizuar para kordonit. Por trupat e policisë nuk e kanë menaxhuar dot këtë grup. Kur forcat e FNSH-së kanë ndërhyrë i kanë parë trupat e policisë ta marrin teritorin pa këmbëngulur për shpërndarjen e protestuesve”, ka deklaruar Hoxha.

Më pas, ka thënë reporteri, ka qenë ndërhyrja e gardistëve ajo që ka qenë fatale për protestuesit. “Pastaj policia u tërhoq dhe ia la vendin gardës. Gardistët qëlluan në ajër me kallashnikov për të trembur protestuesit”, ka thënë Hoxha.

Ai ka shtuar më tej se që nga dita kur publikoi pamje ekskluzive të demonstratës ka marrë kërcënime, fillimisht nga kryeministri dhe më pas nga elementë të tjerë.

“Kryeministri i vendit më ka kujtuar si cakallin e sigurimit të shtetit. I them kryeministrit se kur është rrëzuar regjimi komunist kam qenë vetëm 15 vjec dhe s’mund të kem qenë bashkëpunëtor i tij. Gjithashtu, nga momenti kur publikova pamjet unë nuk mund të komunikoj lirisht me punonjësit e administratës shtetërore. Jam kërcënuar me telefon dhe më ka ardhur një zarf me 2 plumba 9mm, që përdoren nga garda. E kam marrë si një mesazh që unë të mos dëshmoj ato që kam parë”, ka shtuar Hoxha.

Top Channel