Moisiu: Puci s’bëhet me cadra

26/01/2011 20:10

Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu e komenton si mizori vrasjen e tre shtetasve përpara kryeministrisë.

Moisiu deklaron se nuk është dakord me sulmin ndaj institucioneve, por ai e konsideron protestën si një reagim ndaj varfërisë dhe korrupsionit qeveritar.

“Njerëzit e irituar nga varfëria e papunësia, si dhe shumë elemente të tjera, si korrupsioni qeveritar, nuk jam i mendimit se duhen sulmuar. T’i sulmosh ata është një mizori, një terror dhe ne nuk mund ta pranojmë”, deklaron Moisiu.

Ish-presidenti deklaron se puci nuk bëhet me cadra, por me tanke. “Puci nuk bëhet me cadra, por me tanke, artiljeri e ushtri. Nuk sulmohen institucionet e shtetit, por edhe shteti nuk duhet ta sjellë iritimin e qytetarëve në atë shkallë”, thotë Moisiu.

Sipas ish-numrit 1 të shtetit shqiptar, garda u keqpërdor dhe hapi zjarr ndaj njerëzve të pafajshëm. Moisiu shprehet se protestuesit mund të ishin shpërndarë me gaz lotësjelles, por analizon se, policët nuk kishin maska dhe si rezultat i kësaj ata dëmtuan edhe veten.

“Unë nuk e kuptoj përse garda duhet të qëllonte me armë zjarri. Gjithashtu, më bëri përshtypje se policia përdori gazin lotësjellës dhe policët nuk kishin maska anti-gaz. Pastaj u sulmua me armë, garda nuk mund të sulmojë. Të vrarët ishin jashtë kryeministrisë. Them se garda u keqpërdor”, thekson Moisiu.

Mosrespektimi i urdhërave të ndalimit nga prokuroria për drejtuesit e gardës, për ish-presidentin është më e rëndë se ajo që ndodhi në 21 janar.

“Nëse hapja e zjarrit dhe vrasja e njerëzve ishte shumë e rëndë, më e rëndë është mosrespektimi i urdhërit të prokurorisë. Prokuroria është një organ kushtetues dhe asnjë s’ka të drejtë të mos zbatojë urdhërin e saj, përvec gjykatës”, nënvizon Moisiu.

Presidenti thotë se takimi me ushtarakët në detyrë është kategorikisht i ndalueshëm. “Më ka befasuar takimi mes kryeministrit dhe komandantëve të ushtrisë, sepse nuk ka punë ekzekutivi me Forcat e Armatosura, për t’i motivuar ata me politikën shqiptare”, shprehet ai. Ish-presidenti shton se vendi duhet të mbajë zgjedhje të parakohshme pasi ndodhet në krizë.

Top Channel