HRW: Të mos pengohet prokuroria

26/01/2011 16:15

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha nuk duhet të ndërhyjë në hetimin penal mbi goditjet fatale me armë të tre protestuesve që demonstronin kundër qeverisë më 21 Janar 2001.

Kështu tha sot organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch. Në një deklaratë për shtyp të kësaj organizate thuhet se, të tre protestuesit u vranë gjatë demonstrimeve të dhunshme në kryeqytetin e Tiranës, organizuar nga opozita, për të protestuar ndaj korrupsionit dhe mashtrimit elektoral.

Ajo i referohet edhe faktit që prokurorja e përgjithshme e Shqipërisë, Ina Rama, urdhëroi ndalimin e gjashtë oficerëve të Gardës së Republikës në lidhje me goditjet fatale me armë zjarri dhe se Berisha reagoi duke akuzuar Ramën për mbështetjen e një grushti shteti duke thënë se arrestet “absolutisht nuk do të ekzekutohen”. “Komentet dhe kritika e kryeministrit ndaj prokurorit të përgjithshëm rrezikojnë një hetim të pavarur mbi vdekjet e protestuesve”, tha Benjamin Ward, zëvendësdrejtori për Evropën dhe Azinë Qendrore në Human Rights Watch.

“Të gjitha forcat politike duhet ta lënë prokuroren të kryejë hetimin e duhur mbi sjelljen e protestuesve dhe forcave të rendit”, theksoi ai. “Partitë politike opozitare të Shqipërisë duhet të jenë gjithashtu të kujdesshme për të mos nxitur dhunë. Qeveria, mazhoranca dhe opozita duhet të punojnë së bashku drejt një zgjidhjeje paqësore të mosmarrëveshjeve politike dhe të shmangin veprimet që rrezikojnë nxitjen e një dhune më të madhe”, shtoi Ward.

Top Channel