Protestuesit, mbyllet seanca e vlerësimeve

24/01/2011 20:55

Gjykata e Tiranës filloi që në mengjes vlerësimin e masave të sigurisë për të 114 të arrestuarit gjatë protestës së 21 janarit.

Pas 113 vlerësimeve të masave të sigurisë, vetëm 2 prej tyre kanë marrë masën e “arrestit me burg”, 3 persona janë dënuar me 15 ditë burg dhe 27 të tjerë me 20 ditë.

Vlerësimet e sigurisë së protestuesve u zhvilluan në të dyja godinat e gjykatës së Tiranës, në atë të cështjeve penale, si edhe në atë të cështjeve civile. Cdo kërkesë e prokurorisë është respektuar nga gjykata e Tiranës.

Ndërkohe që për shtetasin Gjin Ndreu, për të cilin policia e Tiranës tha se kishte prova për armëmbajtje pa leje gjatë mitingut, gjykata vërjeti se nuk kishte asnjë provë për ta vërtetuar si të tillë, duke e lënë atë vetëm me masën “detyrim paraqitjeje”.

Deputetët socialistë që ndoqën këto vlerësime reaguan duke u shprehur se, prokuroria nuk ka marrë asnjë provë nga policia.

“Prokurorisë s’i është vënë në dispozicion asnjë lloj prove. E kuptoni c’situatë paligjshmërie ka ndodhur? Për 113 të arrestuar nuk u paraqit asnjë raport mjekoligjor për policë të plagosur nga protestuesit”, deklaroi Ermonela Felaj.

Ndërsa Sajmir Tahiri akuzoi policinë për montim provash, pasi gjatë dhunës së ushtruar ndaj protestuesve i ka detyruar ata që të nënshkruajnë se kanë marrë para për të marrë pjesë në protestë.

“Policia jo vetëm ka marrë rolin e një gestapoje, por monton edhe provat që i pëlqejnë pushtetit. Është rasti i pandëshkueshmërisë së ministrave që kanë vjedhur qytetarët, që këtë herë është më i kalcifikuar se kurrë”, tha Tahiri.

Ndërkohë, masa e sigurise per Fiqiri Xibrin u zhvillua në ambjentet e Spitalit Ushtarak në Tiranë, për shkak se ai ndodhet i shtruar për shkak të goditjeve të marra nga uniformat blu gjatë ditës së protestës.

Top Channel