Hetim Ramës, prokurores dhe SHISH

24/01/2011 08:00

Parlamenti i mbledhur me urgjencë, në prani vetëm të deputetëve demokratë, miratoi ngritjen e një komisioni hetimor për ngjarjet e 21 janarit.

Komisioni do të hetojë veprimtarinë e institucioneve shtetërore që duhet të zbulonin, parandalonin dhe përballonin dhunën gjatë demonstratës së thirrur nga opozita.

E thënë me fjalë të tjera, hetimi do të shënjestrojë përveç Edi Ramës dhe organizatorëve të demonstratës, edhe Shërbimin Informativ Shtetëror, me të cilin kryeministri u tregua mjaft i ashpër.

“Që po përgatitej dhuna, këtë e ka ditur çdo shqiptar. Të gjithë ju, unë, kemi marrë të dhëna dhe informata të gjithanshme se po ndaheshin para, se po paguheshin, se po shkonin derë më derë. Por këtë të dhënë një institucion në Shqipëri nuk e kishte marrë, që ishte SHISH. Më datën 21 janar SHISH dërgon asnjë të dhënë për Policinë e Shtetit. Në këto rrethana unë ftoj ju të ngrejë një komision parlamentar për organizmin e këtij puçi”, është shprehur Berisha.

Në fakt hetimi nuk do shtrihet për ato çështje mbi të cilat Prokuroria ka nisur proçedim penal, sipas ligjit.

E megjithatë, kryeministri u tregua i ashpër me kryeprokuroren Ina Rama, pas nxjerrjes së mandat-arresteve për shefat e Gardës së Republikës, që përbëjnë, sipas tij, zinxhirin komandues të gardës.

Komisioni do t’i zhvillojë hetimet për 3 muaj.

Kuvendi miratoi edhe një rezolutë, e cila në fakt rimerte të njëjtat argumenat të kryeministrit në mbledhjen e qeverisë, pra që preteksti për demonstratën e 21 janarit nga opozita u gjet në një video të trukuar, ndonëse zëvendëskryeministri dha dorëheqjen, videoja e cila synonte të implikonte dhe kryeministrin.

Rezoluta i cilësoi aktet e dhunës gjatë demontratës si një akt kriminal ordiner të shkaktuar nga grupe huliganësh, si një goditje ndaj rendit kushtetues.

Rezoluta dënon aktet e dhunës, bën përgjegjës për sa ndodhi Edi Ramën dhe politikanët e tjerë rreth tij, kërkon përcaktimin e përgjegjësive, përgëzon policinë dhe gardën dhe u kërkon të vazhdojnë të përmbushin detyrat e tyre, shpreh keqardhjen për ata që humbën jetën dhe kërkon hetim të mënjehershëm dhe transparent.

Në fund ajo falenderon edhe partnerët e Shqipërisë, për qëndrimin e qartë që mbajtën kundër akteve të dhunës.

Top Channel