Gjuajtësit shoqërojnë avionin në ulje

24/01/2011 16:35

Gjuajtës së ushtrisë britanike shoqëruan një Airbus të Ettihad në uljen e tij në një prej aeroportëve të Londrës, pasi një pasagjer kërcënoi me marrjen e kontrollit dhe përplasjen e tij në kryeqytetin anglez, më parë gjatë ditës, raportoi “Daily Mail”.

Pilotët kërkuan spostimin nga aeroporti kryesor në një pistë dytësore, pasi një udhëtar kishte nisur të bënte kërcënime. Dy gjuajtës u ngritën për t’i dalë përpara çdo rasti. Avioni do të qëllohej në ajër nëse do të devijonte kursin për në kryeqytetin britanik.

Pas uljes së aeroplanit me 300 pasagjerë, i cili vinte nga Abu Dhabi, një 37-vjeçar me pasaportë angleze u arrestua. Një pasagjer raportoi: “Dukej se pilotët e kishin situatën në kontroll dhe personi gjithsesi nuk mund të hynte në kabinë.

Megjithatë, kur pamë avionët ushtarakë u terrorizuam dhe filluam të luteshim. Disa mendonin se do të goditeshim prej tyre. Ata na shoqëruan në ulje dhe pasi bënë edhe disa spirale pas zbritjes, u larguan për në bazën e tyre”.

Top Channel