SHBA: Dialog politik, jo dhunë

22/01/2011 14:25

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes ambasadorit të tyre në Tiranë, i kanë bërë thirrje klasës politike shqiptare që të distancohet nga dhuna dhe të angazhohet për kompromis.

Në një konferencë për shtyp, ambasadori Alexander Arvizu ka deklaruar se dhuna nuk i zgjidh problemet të cilat ka Shqipëria, mes të cilëve spikat ai i korrupsionit.

“Dhuna mund të ishte shmangur dhe duhej parandaluar. Ajo nuk duhet të ndodhë përsëri. Disa e kanë përshkruar si protestën kundër korrupsionit. Askush nuk e vë në dyshim që korrupsioni është real në Shqipëri. Duhet bërë përparim në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që Shqipëria të arrijë ambicjet e saj. Por dhuna nuk do ta zgjidhë problemin”, ka pohuar Arvizu.

Ai i ka bërë thirrje klasës politike që problemet t’i zgjidhë me kompromis, duke theksuar se SHBA vazhdimisht ia kanë kërkuar një gjë të tillë Shqipërisë.

“Në këtë moment Shqipëria ka nevojë për një zgjidhje politike dhe ne iu kemi bërë thirrje vazhdimisht liderëve politikë që të bëjnë kompromis. Por kur njëra palë apo tjetra këmbëngul në qëndrime ekstreme, ateherë më vjen keq por ky nuk është kompromis”, ka nënvizuar Arvizu.

Më tej, duke iu referuar tre vrasjeve të ndodhura në demonstratë, diplomati amerikan ka bërë thirrje që të mos dilet në përfundime të shpejta dhe që t’i lihet koha e duhur prokurorisë për të hetuar.

Top Channel