Rama: Berisha keqpërdori policinë

22/01/2011 13:05

Kryetari i PS, Edi Rama, në një konferencë për shtyp të mbajtur para pak castesh ka akuzuar ashtu si dhe dje qeverinë për aktet e dhunës të regjistruara gjatë demonstratës së opozitës.

Rama ka ritheksuar se protestuesit kanë qenë të paarmatosur dhe se ata janë dhunuar për shkak të keqpërdorimit të policisë nga ana e pushtetit.

“Tmerri dje doli me zë e me figurë. Demonstruesit nuk ishin të armatosur, nuk ishin as të rrezikshëm, ishin vetëm opozitarë. Por kjo nuk është e vetmja pjesë e patolerueshme e qeverisë së matrapazllëkut që ne e dënojmë dhe përballë të cilës ne do qëndrojmë me të gjithë forcën. Një tjetër pjesë është ajo e rrahjeve dhe dhunimeve të opozitarëve, nga keqpërdoimi i një policie”, ka pohuar Rama.

Sipas tij, fakti që asnjë polic nuk është plagosur me armë zjarri tregon se demonstruesit nuk kanë qenë të armatosur dhe se ka qenë pikërisht policia e keqpërdorur që ka hapur zjarr mbi ta.

“Ne i shprehim gjithë solidaritetin tonë policisë dhe keqardhjen e thellë për dëmtimet fizike të tyre, për faj të një keqpërdorimi të pushtetit. Asnjë polic s’është plagosur fatmirësisht me armë zjarri, 3 protestues janë vrarë me armë zjarri, njëri është në agoni, ndërsa të tjerët kanë plagë në trup. Kjo tregon se kush i kishte armët. Ato nuk i kishin protestuesit”, ka theksuar Rama.

“Kryeministria u kthye në një llogore zjarri, duke nxjerrë në pah kusarinë dhe matrapazllëkun e qeverisë. Dje Saliu iu turr opozitës si gjuetarët e shtrigave në kohën e Enverit”, ka vijuar ai, duke bërë një krahasim me demonstratat në vendet perëndimore.

“Demonstruesit evropianë nuk qëllohen me plumba as në protesta më pak paqësore se ajo. Demonstruesit evropianë nuk vriten as kur hyjnë në parlament, as kur prishin pasuritë si në Paris, apo Londër pak javë më parë”, ka thënë Rama.

Duke akuzuar sërish “koalicionin e turpit”, lideri i opozitës ka kërkuar një hetim të pastër nga prokuroria dhe ka premtuar se drejtësia për personat e dhunuar herët a vonë do të vijë.

“Meta e Saliu duan ta vjedhin e më pas ta vrasin popullin e tyre, për ta kthyer më pas vendin në një batak të matrapazllëkut. Përsëris apelin për kryeprokuroren. Presim një hetim të pastër të ngjarjes. Ndërkohë, i bëjmë thirrje drejtorit të policisë që të mos bëhet pjesë e kësaj nisme të Saliut dhe Lulit, si dhe horrave që kanë marrë peng gardën. Herët ose vonë përgjegjësit do të dënohen nga një drejtësi e pavarur që do të vijë pas zgjedhjeve të reja që janë në horizont”, ka shtuar Rama.

Top Channel