KE: Dënojmë humbjen e jetëve

22/01/2011 02:00

Zhvillimet në Tiranë janë ndjekur me vëmendje nga kabineti i Komisionerit për Zgjerim, Shtefan Fyle dhe ai i Përfaqësueses së Lartë, Katherine Ashton. Pas një mbledhje të gjatë, e cila zgjati pothuajse deri në orën 21 të mbrëmjes, të dy zyrtarët e lartë konkluduan me një qendrim të përbashkët në të cilin thuhet se demonstrata është instrument i lirisë së shprehjes.

Zëdhënësja e KE-sër, Natasha Butler: Po, Komisioni Europian ka ndjekur nga afër të gjitha këto zhvillime dhe Komisioneri Fyle e Përfaqësuesja e Lartë, Ashton bënë këtë deklaratë që unë vetëm do t’ua lexoj: E dënojmë me forcë humbjen e jetëve njerëzore në kontekstin e manifestimeve të sotme në Shqipëri. Demonstratat janë një instrument i lirisë së shprehjes dhe mbledhjes paqësore për qytetarët. Ndjejmë keqardhje të thellë për faktin që ngjarjet e ditës së sotme përfunduan në një spirale dhune. I bëjmë një apel urgjent të gjitha forcave politike të bëjnë thirrje për qetësi dhe përmbajtje nga provokimet. Që Shqipëria të përparojë në rrugën e saj europiane, ne edhe një herë i kërkojmë politikanëve shqiptarë të angazhohen në një dialog politik konstruktiv për të zgjidhur pa vonesa të mëtejshme ngërcin politik dhe për të mobilizuar të gjitha energjitë e vendit për këtë qellim.

TCH: Përfaqësues të ndryshëm të qeverise kanë deklaruar se Bashkimi Europian e Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se Edi Rama është përgjegjësi. A mund ta konfirmoni këtë?

Butler: Sic e dini ne lëshuam një deklaratë të përbashkët në nivel lokal përpara këtij qendrimi që po japim tani, ku gjithashtu dënuam dhunën dhe përdorimin e tepërt të forcës. Ne nuk jemi këtu për të gjykuar kush është përgjegjësi. Ne bëmë thirrje disa herë ndaj të gjithë liderëve politikë, qofshin këta anëtarë të qeverisë, apo anëtare të opozitës, që të tregojnë pjekuri politike. Nuk na takon neve të themi se kush është përgjegjës e nuk i takon askujt tjetër të tregojë se kush e ka fajin, po i takon qeverisë dhe opozitës  që të tregojë se ata janë në gjendje të gjejnë një zgjidhje politike e që mund të punojnë bashkë në mënyrë të qetë e të respektueshme për të zgjidhur situatën aktuale, në mënyrë që Shqipëria të vijojë rrugën drejt integrimit europian.

TCH: Në këtë ngjarje janë përdorur armë zjarri ndaj turmës, a është e justifikueshme kjo në sytë tuaj?

Butler: Sic e thashë dhe në këtë deklaratë, për ne manifestimet janë instrument i lirisë së shprehjes, i mbledhjeve paqësore për njerëzit, të cilat cdo demokraci duhet t’i përkrahë. Ndaj këto manifestime duhet të jenë të paqshme, të tolerueshme e të respektueshme për të gjithë qytetarët, pavarësisht diferencave, politike ose jo, që ata mund të kenë, ato duhet të jenë të respektueshme për qytetarët. Prandaj është e rëndësishme për autoritetet në vend që ta përkrahin këtë të drejtë, sepse është e drejte kushtetuese, e drejtë që duhet përkrahur. Nuk mund të shtoj asgjë më shumë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA