“Mjaft”: Politika të reflektojë

22/01/2011 11:40

Aktivistët e “Mjaft” nuk kanë vonuar të mblidhen në vendin pranë kryeministrisë, ku gjatë demonstratës së djeshme u vranë 3 persona.

Ata bashkë me qytetarë të tjerë kanë ndezur qirinj dhe kanë vendosur lule për të kujtuar viktimat.

Në fjalën e tij, përfaqësuesi i “Mjaft” Laert Kola ka deklaruar se pas ngjarjeve të djeshme është i nevojshëm një moment reflektimi.

“Ajo që duhet të bëjmë është të nderojmë ata që ranë, që protestuan për një shtet të së drejtës, të cilën shteti aktual nuk e respekton. Të mbajmë një moment reflektimi, në mënyrë që të ndryshojmë të ardhmen. Pasi nëse nuk reflektojmë, do të vriten sërish njerëz”, ka deklaruar Kola.

Ai ka theksuar se pushteti aktual duhet të ndryshojë duke u vënë në funksion të qytetarëve dhe jo të shfrytëzojë këtë të fundit.

“Këtu qeveria duhet të jetë në funksion të popullit dhe jo e kundërta. Këtu nuk është cështje pozicionesh. Pozicionet u morën nga qeveria, ndërsa opozita është një strukturë e këtij organizimi”, ka shtuar Kola duke iu referuar protestës së djeshme.

Top Channel