Rama: Të goditet krimi financiar

21/01/2011 09:35

Kryeprokurorja Ina Rama ka drejtuar sot analizën e task forcës kundër krimit ekonomik, ku ka paraqitur disa të dhëna statistikore mbi veprimtarinë e Prokurorisë së Përgjithshme.

“Janë përfunduar hetimet për 78 për qind të cështjeve në procedim. Ndërsa gjykata ka gjetur fajtorë 82% të personave që kanë qenë në gjykim”, ka deklaruar Rama.

Numri 1 i organit të akuzës ka theksuar se e rëndësishme në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar është zbatimi i rekomandimeve të ekspertëve të huaj.

“Për këtë arsye njësive hetimore u janë dhënë mjetet e duhura, si dhe janë aplikuar programe trajnuese për prokurorët dhe magjistratët”, ka pohuar Rama.

Më tej kryeprokurorja u ka tërhequr vëmendjen vartësve të saj për mungesën e profesionalizmit në disa raste, si dhe të vullnetit për të luftuar krimin e organizuar, që sipas saj është një rrezik konkret për shtetin shqiptar.

“Niveli i profesionalizmit të oficerëve të policisë gjyqësore nuk është ai që kërkohet. Duhet një goditje e fortë ndaj fenomenit kriminal që po dëmton në një dimension të madh shoqërinë shqiptare”, ka shtuar Rama.

I pranishëm në këtë analizë ka qenë edhe ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili ka theksuar se lufta kundër krimit financiar ka qenë inkurajuese.

“Lufta kundër krimit ekonomik ka qenë eficente. Kemi një rritje të kallëzimeve dhe të dokumentimit të veprave penale, si dhe 61 procedime për pastrim parash”, ka deklaruar Bode.

Top Channel