KiE: Politika të angazhohet në dialog konstruktiv

21/01/2011 21:15

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland, ka shprehur gjithashtu shqetësimin e tij mbi dhunën e shfaqur në Tiranë.

“Unë jam shumë i shqetësuar për shpërthimin e dhunës dhe viktimat e
shënuara gjatë demonstratave në rrugët e Tiranës këtë pasdite, ” thuhet
në deklaratën për shtyp.

“Dënoj të gjitha llojet e dhunës dhe u bëj thirrje të gjitha forcave politike për t’u angazhuar në dialog konstruktiv, në kuadër të institucioneve ekzistuese demokratike të Shqipërisë”, vijon sekretari i përgjithshem Jagland, i cili nënvizon se javën e ardhshme në Strasburg do të pyetet dhe kryeministri Berisha mbi këtë ngjarje.

“Unë shpresoj që të kemi më shumë fakte në lidhje me sfondin për këtë incident fatkeq, kur Kryeministri Sali Berisha do të vizitojë Këshillin e Evropës të enjten e ardhshme”, përfundon deklarata e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës.

Arta Tozaj

Top Channel