Zbulohet “fajtori” i kancerit të veshkave

19/01/2011 20:25

Shkencëtarët kanë arritur të identifikojnë mutacionin e një gjeni, i cili është shkaktar i treçerekut të rasteve të kancerit më të zakonshëm të veshkave, raportoi gjatë ditës “Nature Journal”.

Sipas ekspertëve, ky zbulim është një avancim “gjigant” në kuptimin e mënyrës se si krijohet sëmundja dhe mund të kontribuojë në kura më efektive për të luftuar tumorin, në një të ardhme të afërt.

Kanceri i veshkave është jashtëzakonisht i vështirë për t’u verifikuar përpara fazës së tij të paoperueshme, ndërsa simptomat shfaqen edhe më vonë se sa ato të tumoreve të shkaktuara në zona të tjera të trupit.

Profesori Mike Stratton, drejtor i Institutit që ndoqi studimit, deklaroi: “Ky zbulim është një avancim i jashtëzakonshëm. Është e qartë që çdo kurrë që do të shërojë pacientët nga kanceri në të ardhmen, duke e bërë këtë sëmundje tërësisht të kurueshme, do të kalojë nga studimi i imtësishëm i gjenetikës së sëmundjes”.

Kanceri i veshkave është i shtati më i përhapuri tek meshkujt dhe i nënti tek femrat. Shumë pak persona arrijnë të jetojnë më shumë se pesë vjet pas diagnostikimit.

Top Channel