Modelet meshkuj dhe lufta kundër paragjykimeve

19/01/2011 19:30

Vështirësia e të qënit një model mashkull në një shoqëri tradicionale si ajo shqiptare, u vendos në qendër të vëmendjes së emisionit të pasdites në Top Channel.

Në vendin tonë, dëshira për t`u kujdesur për pamjen dhe stilin e jetesës, jo rrallëherë merret si devijim nga natyra mashkullore. Ky perceptim ndihet më shumë në rrethin e modës, ku përkujdesja për imazhin s`është vetëm një ngacmim personal, por njëkohësisht një detyrim profesional.

Ledio Mehmeti, 19 vjeç, edhe pse ka vetëm një vit në industrinë e modës, tregon se e ka ndjerë peshën e këtij paragjykimi. “Ka paragjykime, thonë për modelët që janë homoseksualë, jo aq meshkujt sa duhet, por nuk ka lidhje fare. Njerëzit në rrugë të tregojnë me gisht”, thotë ai me të qeshur.

Në të vërtetë, meshkujt modelë në Shqipëri janë të paktë, për shkak të industrisë së pazhvilluar të modës në vendin tonë, por edhe për arsye të këtij paragjykimi që shpeshherë frenon ata të rinj që kanë dëshirë të ecin në jetë me bukurinë e tyre.

Ky sigurisht s’është rasti i Ledios, i cili është i bindur në zgjedhjen e tij edhe nëse do i kërkonin të sakrifikonte elementët që shpeshherë përcaktojnë “burrërinë”, të paktën në Shqipëri.

”Nëse do më kërkonin të hiqja vetullat e të depilohesha nga klienti, normal që do ta bëja, sepse kjo punë këto gjëra ka”, thotë 19-vjeçari.

Ledio sapo ka mbaruar shkollën e mesme. Edhe pse është i ri në pasarela, ai është bërë pjesë e reklamave dhe spoteve televizive, ka pozuar për fotografë të njohur shqiptarë e të huaj dhe madje, së fundmi është kontraktuar nga profesionistëve kinezë të fushës së modës.

”Kur isha fëmijë ëndrra ime ishte të bëhesha politikan, por përpara një viti, në janar 2010, u dha një lajmërim për konkurs dhe unë morra pjesë dhe dola i dyti. Nisa rrugën e modës, dola në revista, duke bërë sfilata dhe po ja marr dorën për t’u bërë profesionist”.

Jeta e Ledios si model ka ndryshuar. I duhet të merret më shumë me aktivitet fizik, të mbajë dietë, të kufizojë daljet orar pa orar, apo dhe përdorimin e alkolit e duhanit. Por, të gjitha këto janë sakrifica të përballueshme, përpara realizimit të objektivave që ka vendosur përpara.

”Objektivat e mia për të ardhmen janë që të arrij në pasarelat më të njohura në gjithë botën, Milano, Paris, Nju Jork. Vështirë janë shumë të mëdha, por asgjë nuk është e pamundur. Pasi të përfundoj këtë karrierë, do të më pëlqente të merresha me aktrim. Kjo është ëndrra më e madhe që dua të arrij”.

Top Channel